Qeveria “Rama 3” ka rikthyer në konsultim publik projektligjin e bllokuar prej dy vitesh për legalizimin e parave të padeklaruara jo vetëm të emigrantëve, por edhe të qytetarëve shqiptar që janë rezidentë këtu, legalizohen të ardhurat e padeklaruara të bizneseve dhe paratë e padeklaruara të shtetasve të huaj që janë tatimpagues në Shqipëri, i njohur ndryshe si “Amnistia Fiskale”. Nëpërmjet kësaj nisme qeveria bën të mundur reduktimin e cash në ekonomi, formalizon ekonominë pasi paratë do të deklarohen dhe nga ana tjetër siguron të ardhura për shkak të tatimit që do të mblidhet.
Emigrantëve u hapet “drita jeshile” të formalizojnë paratë
Kështu sipas ligjit të siguruar nga gazeta, të gjitha të ardhurat informale që janë përdorur për të blerë pasur të paluajtshme në Shqipëri përmes pagesave cash do të mund të formalizohen. Përmes draftit të ri të amnistisë fiskale, qeveria u jep mundësinë subjekteve e këtij ligji që të mund të deklarojnë dhe legalizojnë vullnetarisht burimin e të ardhurave të përdorur për krijimin e pasurisë së luajtshme apo të paluajtshme që duhen apo janë regjistruar në regjistra publik, burime këto të pa deklaruara më pare. Formalizimi përfshin edhe ato pasuri për të cilat janë lidhur kontrata shitje. Tatimi që duhet të paguajnë këto individë varion nga 7 për qind nëse deklarimi bëhet deri në 4 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit dhe 10 për qind pas kësaj periudhe. Me po të njëjtën normë tatimore u jepet mundësi qytetarëve shqiptarë që jetojnë në vend, të huajve apo emigrantëve që të deklarojnë paratë e tyre dhe t’i formalizojnë në Shqipëri. Shumë e lejuar që mund të deklarohet është deri në 2 milionë euro. Ndërsa ofrohet normë e reduktuar tatimore nga 5-7 % për ata që paratë e deklaruara i investojnë në tituj shtetërorë, bono thesari apo obligacione jo më të vogla se 2 vjeçare. Për emigrantët formulari i deklarimit plotësohet në pikat doganore kufitare. Ndërkohë neni 11 i draftit përmban edhe disa kufizime. Konkretisht, “shumat në të holla të deklaruara në kuadër të këtij ligji nuk mund të transferohen jashtë shtetit për një periudhë 5 vjeçare nga momenti i depozitimit të tyre në përfundim të procedurës së deklarimit vullnetar”. Por në rastet kur një individ dëshiron me patjetër ti transferojë ato përpara afatit 5-vjeçar nga data e depozitimit të tyre, u mbahet si penalitet në masën 30% të shumës së transferuar. Qeveria jep garanci se subjektet përfituese, sipas këtij ligji, në lidhje me llojin dhe vlerën e pasurisë që deklarojnë vullnetarisht në formularin përkatës, nuk shërbejnë si indicie apo provë për ndjekjen apo procedimin penal dhe/ose administrativ të këtyre subjekteve.
Tatim me dy fasha për deklarimin e pasurive
Ndërkohë subjektet përfituese të këtij ligji ndryshe nga drafti i parë do të kenë 9 muaj për të deklaruar dhe jo 1 vit. Si për paratë ashtu edhe për pasuritë e paluajtshme do të ketë dy fasha tatimore. 7% tatim për ata që bëjnë deklarimin për 4 muajit e parë dhe 10% tatim për ata që bëjnë deklarim 4 muajit e dytë. Të njëjtat fasha tatimi do të aplikohen edhe për bizneset. Ndërsa aktualisht tatimi është 15% për deklarimin e pasurisë. Ndërsa ata subjekte që kanë bërë deklarimin e parave në llogari dhe vendosin të investojnë në tituj shtetëror, bono thesari dhe obligacione jo më të vogla se 2 vite do ketë tatim më të ulët. 5% tatim për investimin e bërë në 4 muajit e parë dhe 7% tatim për 4 muajit e dytë. Ndërsa në draftin e parë ishte parashikuar që deklarimi do të bëhej me 3 fasha. Ata që deklarohen në 4 muajit e parë do të paguajnë tatim 5%, të dytët 7% dhe të fundit që deklarojnë pasurinë paguajnë 10%.Aktualisht kush deklaron pasurinë paguan 15% tatim mbi vlerën.
Paratë do mbyllen në banka
Paratë e deklaruara në kuadër të këtij ligji nuk mund të transferohen jashtë shtetit për një periudhë të paktën 5 vjeçare nga momenti i depozitimit, pasi nëse deklaruesi bën kërkesë për ti transferuar do ti mbahet si penalitet 30% të shumës së transferuar. Vlera e penalitetit kalon menjëherë nga bankat në thesarin e shtetit. Madje në pikën 3 të nenit 11 thuhet se subjekti deklarues nuk mund ti tërheqë shuma në të holla të depozituara deri në përfundim të afatit të zbatim të këtij ligji.
Deklaruesit vullnetarë të pasurive, të mbrojtur me ligj
Po ashtu, sipas draftit ë gjitha subjektet që do të deklarojnë pasuritë e tyre përjashtohen nga detyrimi i dhënies së informacionit pranë institucioneve përkatëse administrative në lidhje me kohën, mënyrën e krijimit, mbajtjen apo posedimin e pasurive të deklaruara. Nëpërmjet ligjit ju jepet garanci për mos-diskriminimin në të ardhmen, në procedurat e përllogaritjes së detyrimeve tatimore, ruhet konfidencialiteti, përjashtohen nga hetimi tatimor për evazion dhe ndjekjet penale si dhe nuk do të vendoset masë sekuestro apo konfiskim ndaj pasurive të deklaruara vullnetarisht.
Kritikat për Amnistinë Fiskale dhe Penale
Megjithatë jo vetëm ekspertët vendas por edhe institucionet ndërkombëtare e kanë parë me skepticizëm realizimin e amnistisë fiskale e penale në Shqipëri, për shkak se paraqet rrezik serioz për pastrimin e parave. “Ne ritheksojmë këshillën tonë kundër një amnistie të mundshme fiskale, duke pasur parasysh shqetësimet për ndikimin e saj në përmbushjen tatimore, si dhe rreziqet që lidhen me pastrimin e parave dhe administrimin tatimor”, deklaroi Fondi Monetar Ndërkombëtar në vizitën përmbyllëse të Ekipit të FMN-së në Shqipëri më 19 maj. Kujtojmë që pak kohë më parë për shkak të kritikave dhe skepticizmit të ekspertëve dhe institucioneve të huaja, qeveria vendosi të tërhiqte draftin e parë për ta rishikuar atë.






































