Komisioni i Vetingut ka arsyetuar vendimin e shkarkimit nga detyra të prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, në 6 maji 2022. Në vendimin e shkarkimit, Komisioni i Vetingut konkludon se prokurori Arjan Ndoja ka pasur lidhje me personazhe të botës së krimit, ka marrë vendime në favor të miqve të tij me precedentë penalë, ka cenuar etikën gjatë komunikimit me kryeprokuroren e Durrësit Anita Jella, ka pasur kontakte me politikanë si dhe i janë gjetur dosje, të cilat nuk ndiqeshin prej tij. Sipas vendimit, prokurori Ndoja kishte kontrate me të paktën 9 persona të dyshuar dhe të përfshirë në veprimtari të paligjshme. Me të fortë edhe në seancat gjyqësore. I paprecedentë është konstatimi i Komisionit të Vetingut, sipas të cilit prokurori Arjan Ndoja shoqërohej me persona problematikë edhe në seancat gjyqësore. “Shoqërimi i subjektit nga ky shtetas në një seancë gjyqësore, ku ai përfaqësonte organin e akuzës, si dhe kërcënimet dhe goditja e avokatit të çështjes në shqyrtim, z. I. I., nga ana e shtetasit M. V., menjëherë pas përfundimit të seancës, së bashku me faktet e sipërpërmendura hedhin dritë mbi mungesën e etikës së prokurorit dhe çmohen si rrethana që cenojnë besimin e subjektit në publik”, thuhet në vendim. Bëhet fjalë dhunimin e avokatit Ilir Ilia, në korrik të vitit 2018, para Prokurorisë së Durrësit, pasi ishte përplasur me prokurorin Arjan Ndoja në sallën e gjyqit. Ilia pretendon se Ndoja e ka kërcënuar dhe se më pas ka futur persona për ta goditur fizikisht. Dhunuesi i avokatit u identifikua Edmond Voga, lidhje shoqërore e prokurorit Arjan Ndoja. Voka u dënua më pas me 6 muaj burg për kryerjen e veprës penale “plagosje e lehtë me dashje” kryer në bashkëpunim. Në janar të vitit 2020, Edmond Voga u arrestua për armë pa leje dhe me makinë të blinduar, por që shumë shpejt doli nga qelia.