Deputeti Ervin Salianji, teksa ka komentuar vizitën e Ilir Metës dhe Sali Berishës në Baku të Azerbajxhanit, u shpreh ditën e djeshme se bashkëpunimi mes tyre pas 24 korrikut është një realitet që nuk mund të shmanget. Sipas Salianjit, i ashtuquajturi front opozitar ka si qëllim parësor largimin e Edi Ramës nga pushteti. “Ajo që na bashkon të gjithëve është pa dyshim beteja me qeverinë. Foto në fjalë është shpërfaqja publike e një aleance të dy njerëzve që edhe janë luftuar shumë, por edhe kanë bashkëpunuar shumë për interesa të përbashkëta siç është edhe largimi i Edi Ramës. E shoh si një realitet që pas 24 korrikut do të ketë një bashkëpunim mes Berishës dhe Metës dhe nuk e shmangim dot. Mendoj se Berisha do ta kishte shume të vështirë për t’u paraqitur si alternativë konkurruese nëse nuk afron rreth vetes disa figura apo njerëz të terrenit. Fronti opozitar përfshin të gjithë njerëzit që edhe pse mund të kenë përplasje ideologjish, i bashkon lufta me Edi Ramën që kontrollon sot të gjithë pushtetet. Në këtë situatë fronti opozitar është i domosdoshëm, por nga e thëna në të bërë do punë” , tha Ervin Salianji në një intervistë televizive. Ai shtoi se ishte Sali Berisha ai që e ka mbajtur Lulzim Bashën edhe pas humbjes në 25 Prill. Salianji u shpreh se kreu i PD duhet të kapërcejë vetveten për t’i dhënë opozitës një mundësi. “Një nga dështimet më të mëdha të Sali Berishës ishte zoti Basha. Unë jam i bindur që në mos i vetmi, ai është kryesori për të kapërcyer veten për t’i dhënë opozitarizmit një pamje tjetër”, nënvizoi deputeti demokrat. Aleancën Meta-Berisha, e ka konfirmuar edhe vetë ish-kryeministri demokrat. Ish-kryeministri Sali Berisha në një deklaratë për mediat, u shpreh pak ditë më parë se pasi Ilir Meta të lërë Presidencën, do të donte të bashkohej me të për të riformuar opozitën e dikurshme. Në një komunikim me gazetarët, pas përfundimit të aktivitetit me biznesin e vogël, Berisha u shpreh se asgjë nuk i pengon për të bërë betejë kundër Ramës.