Skenarët që të çojnë në Europë, 4 ekipe me llogari të pambyllura

0
192

Në përgjithësi kampionati i ka dhënë verdiktet kryesore, sidomos skuadrën që fiton kampionatin e që është Tirana, si dhe skuadrat që kanë rënë edhe zyrtarisht nga Superliga që janë Dinamo e Skënderbeu. Gara e vetme që ka mbetur ende e papërcaktuar është ajo e Europës, me Partizanin, Kukësin, Vllazninë e Teutën, që do të luftojnë për dy vende, teksa shkodranët kanë edhe avantazhin e faktit që do të luajnë finalen e Kupës dhe një sukses aty i dërgon automatikisht në eliminatoret e kompeticioneve europiane. Dy javë para fundit, Partizani ka 52 pikë, i ndjekur nga Vllaznia e Kukësi me nga 49 dhe Teuta me 46, teksa të katër skuadrat shpresojnë për Europën, por çfarë ndodh nëse dy skuadra do të kenë të njëjtën kuotë pikësh? Rregullorja e Superiores parashikon që aspekti i parë vendimtar, është përballja direkte mes ekipeve me pikë të barabarta, më pas vjen golavarazhi i përballjeve direkte dhe në fund golavarazhi total i kampionatit.

Skenarët e mundshëm

Referuar edhe analizës që ka bërë “Supersport”, më poshtë jepen të gjithë kombinimet e mundshme, duke u bazuar te rezultatet e ndeshjeve direkte të të katër ekipeve që janë në garë me njëra-tjetrën për një vend në Europë dhe pikërisht pikët e golavarazhin, që do të vendosin nëse e mbyllin me pikë të barabarta. Në skenarin 1: Nëse Partizani dhe Kukësi e mbyllin me pikë të barabarta, atëherë më lart renditen kryeqytetasit që kanë grumbulluar 7 pikë në përballjet direkte, kundrejt 4 të verilindorëve dhe kanë një golavarazh 9-4. Në skenarin 2: Partizani dhe Vllaznia e mbyllin me pikë të barabarta, atëherë më lart renditen shkodranët që kanë grumbulluar 6 pikë në përballjet direkte, kundrejt 3 të kryeqytetasve dhe kanë një golavarazh 3-2. Në skenarin 3: Nëse Partizani dhe Teuta e mbyllin me pikë të barabarta, atëherë më lart renditen të kuqtë që kanë grumbulluar 9 pikë në përballjet direkte, kundrejt 3 të durrsakëve dhe kanë një golavarazh 9-3. Në skenarin 4: Nëse Kukësi dhe Vllaznia e mbyllin me pikë të barabarta, atëherë më lart renditen verilindorët që kanë grumbulluar 4 pikë në përballjet direkte, po aq sa shkodranët, por kanë një golavarazh 4-3. Në skenarin 5: Nëse Kukësi dhe Teuta e mbyllin me pikë të barabarta, atëherë më lart renditen “djemtë e detit” që kanë grumbulluar 8 pikë në përballjet direkte, kundrejt 2 të verilindorëve dhe kanë një golavarazh 8-4. Në skenarin 6 dhe të fundit: Nëse Vllaznia dhe Teuta e mbyllin me pikë të barabarta, atëherë më lart renditen shkodranët që kanë grumbulluar 6 pikë në përballjet direkte, kundrejt 3 të durrsakëve dhe kanë një golavarazh 7-5.

Pikët e barabarta dhe pikëpyetjet e Vllaznisë

Por çfarë ndodh nëse tre apo katër skuadra e mbyllin me pikë të barabarta? Edhe në këtë rast merren në konsideratë rezultatet në takimet direkte, por këtë herë mblidhen pikët në përballjet mes të tre apo të katër ekipeve në garë. Krahas këtyre skenarëve, vlen të theksohet se nëse Vllaznia mbetet jashtë 4-shes së parë, por fiton Kupën e Shqipërisë, atëherë merr vendin e fundit në eliminatoret e Europës, duke lënë duarbosh skuadrën që do të renditet e katërta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here