Këngëtarja Ronela Hajati me këngën “Sekret” është përfaqësimi i Shqipërisë në “Eurovision”, por pianistja e njohur Etrita Ibrahimi e quan skandaloze këtë prezantim. Reagimi i pianistes vjen pasi faqja zyrtare e “Eurovision” fshiu nga rrjetet sociale foton nga prova e performancës së këngëtares Hajati. Kjo ndodhi pasi zyrtarët e kompeticionit të këngës cilësuan foton e saj dhe grupit të saj provokuese. Pianistja Etrita Ibrahimi e bija e kompozitorit të shquar Feim Ibrahimi shprehet se do të kishte qenë më mirë të mos pranohej ai tekst kënge. “Çka ndodhi me znj. Ronela Hajati dhe grupin e saj shoqërues në skenë, nuk është asgjë më shumë se ajo që ndodhi vjet me këngën e grupit italian Måneskin, i cili në Sanremo prezantoi një këngë me fjalor banal, ndërsa në “Eurovision”, të gjitha fjalët e papranueshme, ishin ndryshuar. Në rastin e Shqipërisë, janë ndaluar lëvizjet provokuese (për mua aspak sensuale, por tejskajshmërisht vulgare), sepse këto kanë qenë të dukshme, por unë jam edhe më drastike dhe them që do të kishte qenë mirë të mos pranohej as teksti i kësaj kënge, e cila nuk e di a mund ta mbajë këtë emërtim…!”, shprehet pianistja e njohur. Në më pak se dhjetë ditë Hajati do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision”, që do zhvillohet në Torino të Italisë. Por pianistja Etrita Ibrahimi ashtu si dhe më parë shprehet se muzika e lehtë e shekullit XXI nuk është ajo në këtë këngë. “E kam thënë dhe shkruar që kur mbaroi festivali në dhjetor dhe e përsëris: është skandaloze që Shqipëria të prezantohet me një material të tillë në “Eurovision”. Nuk e di ku janë personalitetet e artit në këtë vend, nuk e di pse juria e ka lejuar këtë gjë, për të cilën nuk gjej epitetin e duhur, por di të them që muzika e lehtë e shekullit XXI nuk është kjo. Ky është thjesht një miks banaliteti, mediokriteti, mungesë kulture, shijesh dhe aftësish profesionale”, vijon Ibrahimi.
Një përfaqësim i dobët
“Eurovision 2022” nis më datë 10 maj në Torino, që do të jetë nata e parë ku do këndojë dhe Ronela Hajati këngën “Sekret”. Pianistja Etrita Ibrahimi thotë se artistë të tjerë janë shumë larg përfaqësueses sonë. “Nuk është se kam unë ide të prapambetura, pasi jam krejtësisht e azhornuar për muzikën e lehtë botërore dhe ka shumë grupe e këngëtarë (p.sh. Dua Lipa, Alan Walker, Sia, The Kolors, BTS, Mahmood, etj), që më pëlqejnë dhe i dëgjoj me shumë kënaqësi, por janë larg vite dritë me përfaqësuesen tonë në Torino”, thotë ajo. Pianistja Etrita Ibrahimi njëkohësisht dhe zv/presidentja e fondacionit “Feim Ibrahimi” shprehet se Torino është një qytet që e njeh mirë. Një qytet që sipas saj jetojnë dhe shumë shqiptarë, që do të shohin dhe këtë përfaqësim të dobët. “Më vjen shumë, shumë keq që prezantohemi kështu pikërisht në Torino, në kryeqytetin sabaud të mbretërisë së Savoia-s. Një qytet që njoh shumë mirë, për shkak të studimeve që kam kryer atje dhe të jetës sime 15-vjeçare në këtë qytet, të cilësuar “La piccola Parigi”, qytet me një kulturë të madhe shumëshekullore, ku për më tepër jetojnë edhe shumë shqiptarë, të cilët nuk e di si do të ndjehen me këtë përfaqësim kaq të dobët, si asnjëherë tjetër, të vendit të tyre, në skenën e madhe të Eurovision-it!”, thotë pianistja Ibrahimi. “Eurovision 2022” nis më datë 10 maj, që do të jetë nata e parë e gjysmëfinales, 12 maj nata e dytë gjysmëfinale dhe përfundon më 14 maj, që është finalja.