Vendosja e fotove të disa prej heronjve të popullit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pak kohë më parë ka ngjallur debat dhe disa intelektualë përfaqësues të shtresave të persekutuara e kanë kundërshtuar ashpër, duke e konsideruar atë si një provokim. Agron Tufa, ish- kreu i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, e dënoi këtë vendim dhe e cilësoi fyerje dhe poshtërim për të dhe gjithë shtresën që ai përfaqëson. Sipas Tufës, është hipokrizi fakti që në të njëjtin vend ku para disa vitesh u nderuan martirët e sistemit komunist, tani nderohen ata që i ai cilëson si vrasësit e tyre.“Unë e quaj këtë thelbin e hipokrizisë në raport me ideoligjizimin e çështjeve të shtruara. Qeveria do të festojë dhe kapet në flagrancë të pastër. Një pjesë e madhe e atyre që janë vënë aty nuk kanë asnjë lidhje me luftën. Ata janë pjesëmarrës të masakrave që kanë bërë në disa krahina, kryesisht në veri të Shqipërisë. Disa prej tyre janë aty në fotografi me uniformën e Sigurimit të Shtetit. Për shembull, Nuri Luçi ka rënë si shef i degës së Sigurimit të Krujës. Por edhe një tjetër, Fejzi Micolli, ka rënë në vitin 1954 diku rrotull në Vermosh, duke luftuar me ata që i kanë quajtur me bandat. Por ai ka vdekur duke luftuar në betejën kundër Prek Calit dhe pastaj është quajtur hero”, tha ai. Ndër të tjera, ai deklaroi se kur kanë guxim të vënë këta heronj, pse nuk vënë komandantët e tyre. Tufa deklaroi se nuk kanë pse i ndajnë nëse duan që ti nderojnë.“E dyta, kur i vënë dhe kanë guxim të vënë këta heronj, pse nuk vënë komandantët e tyre, si Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Kadri Hazbiu, Beqir Balliku, Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha. Këta shkojnë ose të gjithë tok ose asnjëri. Pra, nuk kanë pse t’i ndajnë nëse duan që t’i nderojnë. Por këtë gjë nuk e bëjnë dot, se ka dhënë urdhër partia. Këta as nuk dënojnë publikisht Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, që të paktën të dalin këta të tjerët. Por nuk duan ta nxjerrin në bulevard e as mos ta dënojnë Enverin. Për mua është një hipokrizi”, tha Tufa.









































