Një enë e plotë qeramike, që i takon “Kulturës Ilire të tumave të Matit” u identifikua në fshatin Kthellë të Mirditës. Ministrja e Kulturës Elva Margariti bën me dije se specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore realizuan hulumtimin në terren të gjetjeve arkeologjike rastësore, pas njoftimit të dhënë nga banorët e zonës, pranë fshatit Kthellë në Mirditë, ku në sipërfaqe u konstatuan fragmente qeramike, bronzi, eshtrash etj. Sipas Margaritit, specialistët bënë dhe regjistrimin e objektit. “Sipas studimeve paraprake rezulton se objekti i zbuluar është një enë qeramike me dy vegje vertikale, të zhvilluara mbi buzë, që daton i periudhës së hekurit. Specialistët pranë Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik pranë IKTK realizuan gjithë procesin e pastrimit dhe të restaurimit të enës, si edhe regjistrimin e saj si pasuri kulturore në “Regjistrin Kombëtar të Pasurive Kulturore””, thuhet nga ministrja Margariti në një status të saj në Facebook. Margariti vijon më tej se specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore po vijojnë punën për studimin e materialit arkeologjik të zbuluar. IKTK-ja ushtron veprimtarinë në fushën e trashëgimisë kulturore materiale, me qëllim gjurmimin, hulumtimin, studimin, projektimin, konservimin, restaurimin, mbikëqyrjen, kolaudimin, promovimin, publikimin e trashëgimisë kulturore materiale. Ushtron veprimtarinë në fushën e arkeologjisë parandaluese e të shpëtimit dhe studimit të trashëgimisë arkeologjike, si rrjedhojë e planifikimit urban e territorial në Shqipëri. Gjithashtu, harton kriteret e hulumtimeve arkeologjike, shqyrton dokumentacionin teknik në lidhje me to, si dhe kryen mbikëqyrjen e proceseve arkeologjike dhe ecurisë së projekteve zhvillimorë, në varësi të vendimeve të organeve vendimmarrëse kolegjiale.