Portugalia e Ronaldos shkon në Botëror, I bashkohet edhe Polonia e Levandovskit

0
213

Maqedonia e Veriut nuk mundi të bënte këtë herë befasinë e madhe si me Italinë, duke humbur 0-2. Polonia mundi Suedinë 2-0 dhe shkon në “Katar-2022”

Në kualifikueset e Botërorit për zonën europiane, mbetet të caktohet edhe një skuadër që do të shkojë në Botërorin e Katarit, por për shkak të luftës në Ukrainë, ndeshja Skoci-Ukrainë është shtyrë, pra mbetet të mësohet pas disa javësh se cila prej tyre shkon në Botëror, ndërkohë që Polonia e Robert Levandovskit dhe Portugalia e Kristiano Ronaldos shkojnë në “Katar-2022”. Eliminimi që i bëri Italisë, solli tek skuadra e Maqedonisë së Veriut një farë entuziazmi dhe vetëbesimi të tepruar, por një vetëbesim i bukur dhe me shumë elementë përkushtimi në fushë, duke e bërë duelin e mbrëmshëm të tyre ndaj Portugalisë të ndjekur e mjaft emocionues. Padyshim që kjo surprizë e bukur kishte shkaktuar një habi në radhët e kritikëve, nisur nga modestia e nivelit që ka skuadra e Maqedonisë së Veriut. Por nuk ishte aspak surprizë, pasi përfaqësuesja e këtij vendi ka bërë ndeshje me nivel të lartë vitet e fundit, sikurse arriti dhe një fitore historike ndaj Gjermanisë. Ndërkohë, mbrëmë ndaj Portugalisë ekipi verimaqedonas vuajti jo pak, pasi portugezët kanë lojtarë të nivelit të lartë teknik. Në pjesën e parë ishte Brune Fernandez që shënoi pas asistimit të Kristiano Ronaldos në minutën e 35-të. Pjesa e parë mbyllet 1-0. Në pjesën e dytë Maqedonia e Veriut e rriti presionin në sulm, për të bërë ndonjë surprizë, por hapja i kushtoi dhe Portugalia gjeti golin e dytë në minutën e 65-të, sërish me Bruno Fernandez, i cili këtë herë u asistua nga Jota. Me rezultatin 2-0 fiton Portugalia, e cila shkon kështu në Botërorin e Katarit. Shansi i fundit për Ronaldon të fitojë titull botëror. Ndeshja tjetër e luajtur mbrëmë ishte ajo mes Polonisë dhe Suedisë. Pjesa e parë midis tyre u mbyll në barazim 0-0, me një dominim të lehtë të suedezëve, por në pjesën e dytë situate ndryshoi në favor të Polonisë, e cila në mesin e këtij fraksioni ndryshoi tërësisht fatet e ndeshjes. Robert Levandovski shënoi me penallti në minutën e 50-të, kurse në minutën e 73-të ishte Zielinski që shënoi golin e dytë, duke e futur fitoren në “shinat” e duhura e në favor të Polonisë. Pra, fituan polakët 2-0 dhe Levandovski me shokë e shohin veten në Botërorin e Katarit. Siç dihet ndeshja Skoci-Ukrainë është shtyrë për shkak të situatës së luftës në Ukrainë nga agresioni ushtarak rus. Për këtë ndeshje do të shprehet vetë FIFA në një moment të dytë, pasi të caktohet një vend neutral për zhvillimin e ndeshjes.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here