Nga data 1 Prill nis ndarja e bonusit të paketës sociale për pensionistët si dhe indeksimi i pensioneve. Të gjithë të moshuarve, që në total janë 675 mijë do t’iu indeksohet pensioni në masën 3.3 %. Kjo është bërë e ditur ditën nga drejtor i Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve, Astrit Hado gjatë një prononcimi për mediat. “Nga data 1 Prill ne nisim indeksimin e përvitshëm të pensionit në masën 3.3%. Kjo masë indeksimi është më e lartë nga parashikimi fillestar, pasi shporta e mallrave dhe produkteve të pensionistëve është e ndryshme nga ajo që përllogarit INSTAT-i për familjet”, shpjegoi ai. Më tej zoti Hado zbuloi se paralelisht nga 1 Prilli, sipas tij, kush tërheq pensionin do të marrë edhe bonusin prej 3 mijë lekësh, i vlefshëm për tre muaj rresht. “Janë të gjithë pensionistët e invaliditetit të punës ku janë gjithsej 67 mijë, pensionistë familjarë që janë 66 mijë, janë fëmijët e jetim si dhe gratë/burrat e ve, pensionistët e pleqërisë që kanë pension 50% të pagës neto në shkallë vendi, pra të gjithë ata që marrin pension më të ulët ose të barabartë se 13 mijë lekë, do të marrin 9 mijë lekë për 3 muaj. Përfitues janë dhe ata pensionistë të vetmuar, pra që janë kryefamiljarë ose janë dy pensionistë të vetëm të regjistruar, pra ata që përfitojnë kompensim të energjisë elektrike”, u shpreh ai. Në total përfitues të paketës së rezistencës janë 441 mijë individë. Por në këtë shifër përfshihen edhe kategoritë në nevojë. Në total fondi për indeksimin dhe paketën e rezistencës kap shifrën e 8.5 mld lekëve. Për tërheqjen e tyre s’ka nevojë as për aplikim dhe as për dokument shtesë”, nënvizoi Hado.