Google search engine
Home Sport Asllani surprizë në Kombëtare: Spanja nuk na tremb, ndaj saj duam të...

Asllani surprizë në Kombëtare: Spanja nuk na tremb, ndaj saj duam të bëjmë ndeshje të madhe

0
176

Kombëtarja vijon grumbullimin në Spanjë ku po përgatitet për duelin miqësor të 26 marsit ndaj përfaqësueses spanjolle, një takim që ka shumë vlerë për skuadrën e trajnerit Edi Reja, nisur nga potenciali i ri që ka në dispozicion dhe mundësisë që ky potencial të testohet e të seleksionohet si duhet për sfidat e ardhshme në Ligën e Kombeve, aktivitet ku Shqipëria synon të fitojë grupin e pse jo edhe ligën B, e nëse ia del siguron pjesëmarrjen direkt në Europianin e vitit 2024. Dje gjatë konferencës për shtyp të kuqezinjve, para gazetarëve u paraqitën sulmuesit Xhakomo Vrioni si dhe prurja e re e trajnerit Edi Reja, Kristjan Asllani, të cilët u treguan optimistë në prag të ndeshjes me Spanjën, duke shprehur dëshirë që të marrin pak minuta nga ky takim, me shpresën se do të mund të tregojnë potencialin e tyre para trajnerit veteran italian të përfaqësueses tonë.

Qëndrimi i Asllanit

Entuziazmi në kampin kuqezi është mjaft i lartë dhe këtë ndjenjë dhe atmosferë besimi e optimizmi e tregon më mirë fytyra e qeshur e atij që vjen si prurje e re në Kombëtare. Kështu, mesfushori që është grumbulluar për herë të parë me Kombëtaren, Kristjan Asllani, deklaroi dje gjatë konferencës për shtyp që organizoi përfaqësuesja kuqezi, se nuk e mendonte se do merrte ftesë nga trajneri Edi Reja. Duke folur në kuadër të miqësores me Spanjën, që do të luhet më 26 mars në orën 19:45 në “RCDE” të Barcelonës, Asllani theksoi se ka si qëllim vetëm të bëjë mirë dhe të ndihmojë skuadrën. “Jam shumë i lumtur, unë Kombëtaren e shihja vetëm në TV dhe kjo është një kënaqësi e madhe për mua. Nuk e mendoja, nuk e besoja se do të merrja ftesë kaq shpejt nga trajneri i Kombëtares, por erdhi kjo ftesë, shpresoj të bëjmë mirë dhe ndihem mirë”, theksoi Asllani. Më pas ai komentoi kundërshtarin, Spanjën, duke thënë se ekipi i tyre nuk i tremb, por natyrisht që rivali ndihet favorit sepse është një prej ekipeve më të mira në botë. “Jo nuk na tremb. Këto tre ditë kanë qenë shumë të bukura. Shpresojmë të bëjmë një ndeshje shumë të mirë. Shpresoj që të aktivizohem sadopak në këtë takim. Unë do jap maksimumin dhe shpresoj t’i jap ndihmë Kombëtares. Siç thashë, nuk e di a do të aktivizohem. Këto gjëra i di trajneri. Unë jam i përqendruar te stërvitja dhe ndeshja dhe shpresoj të na vijnë shumë tifozë”, nënvizoi më tej Asllani.

E ardhmja tek Empoli apo gjetkë?

Mesfushori i ri kuqezi ka ambicie për të luajtur në një klub të madh, por për momentin ai ndihet mirë me Empolin dhe shpreson të lerë gjurmë tek kjo skuadër. Madje, i pyetur për lajmet që po qarkullojnë në Itali për interesimin e klubit të Milanit për të, lojtari i Empolit theksoi se nuk do dëshironte që t’i diskutonte këto gjëra. “Unë nuk e di, nuk i kam shumë qejf zërat e merkatos. Vetëm mendoj për Empolin dhe do bëj gjithçka për të ndihmuar skuadrën. Ndërkohë, kampionati italian është shumë i vështirë dhe kur vjen këtu në Kombëtare ndihesh më mirë”, shtoi më tej mesfushori kuqezi. trajneri Edi Reja e ftoi atë në përfaqësuese pas paraqitjes shumë të mirë që bëri djaloshi shqiptar me Empolin gjatë këtij edicioni, ku ka mundur të luajë titullar në disa takime.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here