Ministria e Kulturës pas zbulimit të 4 mijë objekteve të trashëgimisë kulturore në një banesë në Tiranë shprehet se është ende herët për të konkluduar nëse kemi të bëjmë me objekte të vjedhura apo të humbura, ndërkohë që një pjesë e tyre mund të jenë me origjinë të huaj. Në një reagim, MK bën me dije se falë bashkëpunimit të frytshëm ndërinstitucional u bë i mundur sekuestroja preventive e një sasie të konsiderueshme objektesh, një pjesë e të cilave, nga verifikimi paraprak, dyshohet të jenë pjesë e trashëgimisë kulturore. Ministria e Kulturës shprehet se nëpërmjet institucioneve të saj të specializuara, ka bashkëpunuar ngushtësisht në nivel ekspertize me Policinë e Shtetit dhe është bërë pjesë aktive e procesit të identifikimit dhe iventarizimit të objekteve të sekuestruara: fotografimin dhe regjistrimin e tyre. “Do të vijohet me procesin e identifikimit, i cili do të zgjasë, deri në verifikimin e plotë dhe përfshirjen e tyre në databazën e objekteve të zhdukura. Ministria e Kulturës ka ekspertizën e nevojshme në identifikimin e këtyre objekteve, krahas regjistrimit të tyre. Është ende herët për të konkluduar nëse kemi të bëjmë me objekte të vjedhura apo të humbura, të përfshira në Regjistrin e Trashëgimisë sonë Kulturore, ndërkohë që një pjesë e tyre mund të jenë me origjinë të huaj”, thuhet në deklaratën e ministrisë. Në vijim, Ministria e Kulturës shprehet se falenderon Policinë e Shtetit për kontributin e dhënë në luftën kundër trafikimit të trashëgimisë sonë kulturore, një luftë të cilën po e intensifikojmë edhe më tej edhe pas ratifikimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me administrimin e bazës së të dhënave mbi objektet e vjedhura prej Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore. Ministria shprehet se shumë shpejt Shqipëria do të rikthejë në Maqedoninë e Veriut edhe 20 ikona, të cilat pas sekuestrimit rezultuan të ishin me origjinë pikërisht nga shteti fqinj. Sipas, MK i njëjti proces verifikimi dhe konfirmimi mbi origjinën e tyre do të kryhet edhe me objektet e sekuestruara së fundmi.