Eliona Thomaraj: Ministria e Kulturës të marrë në mbrojtje teatrin, nuk di që në axhendën e ministres të jetë caktuar ndonjë takim me artistët për problemet

0
249

Marsi muaji i teatrit, por për artistët duhet menaxhuar më mirë nga Ministria e Kulturës dhe nxitur jeta teatrore në vend. Për artistë të teatrit rëndësi kanë dhe takimet e diskutimet për problemet në jetën artistike, por kjo sipas tyre deri tani ka munguar nga Ministria e Kulturës. Regjisore dhe aktore Eliona Thomaraj thotë se vëmendje duhet edhe për teatrot, që janë në qytete të ndryshme në varësi të bashkive përkatëse. Sipas saj, duhet bërë më shumë nga Ministria e Kulturës. “Ministria duhet të marrë në mbrojtje teatrot. Duhet menaxhuar dhe nxitur jeta teatrore në secilin qytet, që dyert e teatrit të mos hapen vetëm për mbledhje apo koncerte, pasi është mjerane jeta artistike, e cila ofrojmë”, shprehet Thomaraj. Në faqen e Ministrisë së Kulturës shkruhet muaji i teatrit, por për regjisoren dhe aktoren Thomaraj gjatë këtij muaji duhet të ketë dhe takime për të diskutuar me artistët për problemet dhe zhvillimet e teatrit në vendin tonë. “Nuk di që në axhendën e ministres të jetë caktuar ndonjëherë takim me artistët dhe kjo është po aq esenciale sa edhe mirë qeverisja. Patjetër që duhet të ketë takime, që jo vetëm paraqesin problematikat e ndryshme që has teatri sot, por zbulon edhe rrugën që të çon drejt suksesit, duke gjetur mirëkuptimin dhe dashamirësinë për këtë zhanër shekullor, që meriton respekt. Teatri është imitimi i jetës dhe nëse një shtet ka teatër në gjendjen të mjerueshme domethënë se jeta e asaj shoqërie është e mjerë”, thotë mes të tjerave regjisorja dhe aktorja Thomaraj.

 Teatri i rezistoi kohës

Jemi në muajin e teatrit dhe gjatë këtyre ditëve artistë të ndryshëm janë shprehur për më shumë vëmendje dhe investime në teatrot e vendit tonë. Regjisorja dhe aktorja Eliona Thomaraj, thotë se teatri në jetën artistike të një komuniteti është i pari dhe me popullori nga zhanret e tjera artistike. “Teatri i rezistoj kohës dhe bashkëjetoi me njeriun për mëse 3000 vjet. Kujtesa e memoria kolektive janë bërë për teatrin si tempulli me pelegrinin. Ata nuk mund të jetojnë pa njëri -tjetrin. Teatri lindi si domosdoshmëri për katarsis njerëzor, shoqëria e mori në mbrojtje teatrin dhe bashkëjetoi deri në ditën e sotme”, vijon më tej regjisorja. Sipas saj, detyra e artistit mbetet ti ofrojë spektatorit artin e gjallë të teatrit, sipas ligjeve të shenjta të jetës. Regjisorja dhe aktorja Eliona Thomaraj në këtë muaj të teatrit kërkon që të mbrohet si kulturë. “Është muaji i teatrit dhe do të jepja këtë mesazh për Ministrinë e Kulturës, mbrojeni teatrin që të mbroni kulturën e së ardhmes”, shprehet ajo. Eliona Thomaraj gjithashtu shprehet e prekur ndaj mënyrës se si ka vepruar Ministria e Kulturës me projektet e 2022. “Nuk mendoj se përbën problem digjitalizimi dhe risitë artistike apo trendet e fundit, por kjo nuk duhet të rëndojë mbi artet klasike si teatri”, thotë aktorja. 27 marsi njihet si Dita Botërore e Teatrit që nga viti 1962.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here