Piktorët: Ministria e Kulturës është ministri antikulture dhe nuk vlerëson vlerat e artit tonë, Galeria Kombëtare e Arteve nuk ekziston

0
198

Ministria e Kulturës nuk vlerëson vlerat e artit tonë shprehen piktorët. Reagimi i tyre vjen pasi këtë vit edhe në vlerësimet e projekteve Ministria e Kulturës shpalli prioritet të tretë promovimin e artit dhe kulturës përmes aktiviteteve, ndërsa të parë promovimin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore përmes teknologjisë digjitale. Piktorët shprehen me kritika ndaj ministrisë, që sipas tyre për artin figurativ këto vite nuk ka organizuar aktivitete. Piktori Rakip Shabani thotë se vijon me të njëjtin qëndrim për Ministrinë e Kulturës. “Unë e kam thënë ajo ministri nuk është Ministri Kulture, por është ministri antikulture. Nuk vlerëson vlerat e artit tonë. Më thoni një gjë që ka bërë ministria për ne në artin pamor? Pse duhet të habitemi, që vë si Ministri e Kulturës prioritet të tretë të projektet e 2022 provimin e artit dhe kulturës përmes aktiviteteve? Ministria nuk e di që historia e një kombi përjetësohet jo me politikë, por nga arti”, thotë Shabani. Në reagimin e tij piktori Rakip Shabani pohon se nuk kanë çfarë ti kërkojnë Ministrisë së Kulturës në politikat e saj kur nuk do t’ia dijë për ata. “Sa ka bërë për ne gjatë këtyre viteve? Nuk kemi një konkurs kombëtar, nuk kemi një ekspozitë kombëtare për piktorët, si nga GKA që nuk organizonte apo dhe Ministria e Kulturës që nuk do t’ia dijë”, thotë piktori më tej. Tashmë GKA është në rikonstruksion dhe për këtë arsye ka pezulluar dhe aktivitetin artistik, por prej kohësh si institucion është përballur me kritika të piktorëve të ndryshëm. Piktori Rakip Shabani  thotë se ka qenë një institucion që nuk mirëpriti artistët. “I qëndroj mendimit si më parë GKA nuk ekziston, është fabul”, thotë piktori. Në datën 20 mars piktori Shabani tregon se do të hapë ekspozitën për teqet e Shqipërisë, por kjo në hapësirat e galerisë së tij. Në lidhje me aktivitetin artistik piktori Rakip Shabani tregon se është i ftuar në Kinë për të marrë pjesë në një panair me veprat e tij. “Më kanë bërë ftesë në Shangai, një panair ndërkombëtar ku ata kanë zgjedhur 10 vepra të miat. Mendoni Kina kurse tek ne nuk kujtohen se çfarë ka në studiot e piktorëve”, tregon Shabani.

 Ndihmë për artin

Piktori Arben Shira thotë se edhe pse e ndjek nga larg jetën kulturore në vendin tonë sidomos pikturën, dëshira e tij dhe e çdo artisti është që të ketë ndihmë për aktivitetet artistike. Edhe piktori Arben Shira shprehet me kritika që promovimi i artit dhe kulturës përmes aktiviteteve është prioritet i tretë te projektet e 2022 nga ministria. “Qeveria të mundësojë ndihmën për artin, sepse duke ndihmuar artin vëmë në vëmendje vlerat tona kombëtare”, thotë piktori Shira. Më tej ai shprehet, se problemet e pa zgjidhura politike me të kaluarën komuniste mendon se pengojnë në vlerësimin e vlerave të artit tonë. “Klasifikimi i vlerave në demokraci në art ka një njësi matëse ndryshe nga ai i realizmit socialist nga e cila politika e vjetër nuk shkëputet dot, sepse i bën propagandë edhe sot po atyre”, shprehet piktori. Por sa i takon GKA, piktori Arben Shira pohon se pas rikonstruksionit duhet të kthehet në një institucion kombëtar. Për piktorin titullari në GKA duhet të jetë jo emërim politik. “Galerisë kombëtare ose e realizmit socialist do ti uroja të shndërrohej në galeri kombëtare. Drejtorët që e drejtojnë duhet të jenë me konkurs, jo emërime politike”, thotë Shira. Me shpalljen e projekteve fituese për 2022 edhe artistë të tjerë janë shprehur me kritika për ministrinë në lidhje me prioritetet e saj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here