Filmi “Virgjëresha shqiptare” me regji nga Bujar Alimani mori çmimin e publikut në “Ostende Film Festival”, Belgjikë. Kjo u bë e ditur nga regjisori. Alimani tregon se festivali u zhvillua nga data 4 deri më 12 mars. Filmi “Virgjëresha shqiptare” që është me regji nga Bujar Alimani trajton ngjarjen e një vajze në Shqipërinë e veriut të viteve ‘60. Pas vrasjes së babait të saj, vajza vendos të sakrifikojë feminilitetin dhe të bëhet burrneshë, duke vendosur drejtësinë. E gjithë kjo ndodh në një vend ku është vendosur diktatura komuniste dhe nuk është e lehtë në mes të ndryshimeve politike që ndodhin të ruhet dinjiteti njerëzor, dhe dashuritë të cilat vihen në provë. Në një reagim të saj më parë aktorja Rina Krasniqi, e cila në film mban rolin kryesor atë të Luanës, ka treguar se është një projekt filmi që e ka për zemër. Ky film është një prodhim i Elsani & Neary Media GmbH / Gjermani, Potemkino Port / Belgjikë, 90 Production / Shqipëri, Circle Production / Kosovë. Qendra Kombëtare e Kinematografisë e ka financuar këtë film në kategorinë Bashkëprodhime në Minorancë. Filmi është financuar edhe nga ZDF ARTE, Qendra Kombëtare e Kinematografisë Kosovë, “Eurimages” dhe “Europe Creative”. Në aktivitetin e tij artistik me kinematografinë, Bujar Alimani është një regjisor me produktivitet të lartë në kinemanë shqiptare, atë të pas viteve 2000. Në aktivitetin e tij me filmat ai ka realizuar disa filma me metrazh të gjatë, me metrazh të mesëm si “Vëthi i munguar”, disa filma me metrazh të shkurtër ku përmendim “Katoi”, “Gaz”, “Busulla” dhe “Një histori dashurie” apo dhe dokumentarin “Zois”. “Delegacioni” me regji prej tij më parë ishte dhe filmi, që ishte propozimi i Shqipërisë në “Oscar”. Filmi “Virgjëresha shqiptare” çeli në shtator të një viti më parë Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Varshavës, në Poloni.






































