Premier League angleze dominohet këtë sezon nga Mançester Siti, që është shkëputur në kryesim dhe po shkon drejt titullit kampion dhe e vetmja skuadër që mund ta rivalizojë derri në fund (gjithmonë nëse ndodh ndonjë e papritur gjatë rrugës së mbetur), është Liverpuli, i cili ka një skuadër cilësore dhe ambicioze si dhe një trajneri si Jurgen Klop që nuk dorëzohet kurrë. Por dje, në kuadër të xhiros së 28-të të Premier League, një fitore me vlerë korri edhe Çelsi, i cili nuk po kalon një moment të mirë shpirtëror si pasojë e largimit të presidentit, Roman Abramoviçit, të cilit iu konfiskua pasuria nga qeveria britanike me dyshimin se është i lidhur me kreun e Kremlinit, Vladimir Putin. Ndërkohë, Çelsi vijon të punojë e të fitojë në kampionat, për të përmbushur objektivat e veta, pavarësisht situatës së krijuar në klub nga penalitetet ndaj Abramoviçit dhe largimit të këtij të fundit. Pra, e thënë me fjalë të tjera, Çelsi është edhe më i fortë se problemet jashtë fushe, teksa pasditen e sotme ia ka dalë të triumfojë me rezultatin minimal 1-0, duke regjistruar fitoren e 5-të radhazi në kampionat dhe duke blinduar pozitat në zonën Champions të renditjes. Përballë bluve të Londrës vinte Njukasëll, që nuk njihte humbje prej javësh dhe që rezistoi mirë në “Stamford Bridge” për plot 89 minuta, sepse më pas ishte Kai Havertz që dërgoi topin në rrjetën e Dubravkës, duke i dhënë fitoren Çelsit. Thellohet kriza e Evertonit të Frank Lampard, që pasditen e sotme pësoi humbjen e katërt radhazi dhe tani rrezikon seriozisht rënien në Championship. “Toffees” prisnin në shtëpi Uolves, por u dorëzuan, duke u mposhtur me rezultatin minimal 0-1, teksa Keni mori dy kartonë të verdhë për tre minuta dhe u largua me të kuq në të 78-ën. Ndërkohë, Arsenali bëri një superfitore dje. Arsenali ka regjistruar fitoren e pestë radhazi në Premier Ligë, duke treguar edhe një herë se është serioz këtë sezon për të siguruar një vend në top katërshe. “Topçinjtë” sot fituan ndaj Leicester Sitit në “Emirates Stadium”, në kuadër të javës së 29-të. Ndeshja u mbyll me rezultatin e pastër 2:0. Thomas Parti kaloi fillimisht vendasit në epërsi në minutën e 11-të, teksa fitoren e vulosi Aleksandre Lakazete në minutën e 59-të, pasi shënoi nga penalltia. Si zakonisht, Granit Xhaka edhe në këtë ndeshje ishte titullar dhe luajti tërë ndeshjen. Arsenali pas kësaj fitore ka 51 pikë dhe vazhdon të jetë në vendin e katërt, me një pikë më shumë se Mançester Junajtid. Ndërkohë, Lids Junajtid fitoi 2:1 dje në shtëpi ndaj Noruiçit.









































