Studiues dhe autorë të ndryshëm të letërsisë janë shprehur herë pas here me kritika për Ministrinë e Kulturës dhe Qendrën Kombëtare të Lirit dhe Leximit në lidhje me çmimet, që ndahen në letërsi. Çmimet kombëtare të letërsisë u ndanë dhe në dhjetor të vitit që lamë pas për veprat më të mira në gjininë e prozës, poezisë, librit studimor, librit për fëmijë dhe përkthimit. Por për studiues dhe autorë të ndryshëm problemet vazhdojnë si dhe vite më parë me ndarjen e çmimeve. Studiuesi i letërsisë Behar Gjoka, i cili herë pas here ka reaguar për problemet në fushën e letërsisë dhe çfarë bën Ministria e Kulturës dhe institucionet në varësi të saj, thotë se situata është më keq se sa vite më parë. Studiuesi Behar Gjoka herë pas here i rikthehet materialeve, që ka shkruar ndër vite për problemet me librin, autorët apo dhe kritikën letrare. Ai ka botuar dhe një libër me titull “Autonomia e kritikës letrare” në vitin 2012, por dhe tani studiuesi Gjoka shprehet me kritika për mënyrën se si bëhen vlerësimet apo dhe zgjidhen juritë. “Situata sot është më keq se sa atëherë me çmimet letrare, me përjetimin e kulturës dhe gjithçka tjetër. Kjo historia e çmimeve letrare, e shtrirë nëpër vite, mendoj se është si ajo puna e çmimeve të lulelakrës, për të cilat tashmë interesohen vetëm klani që ndan dhe dihet se i merr ato”, thotë studiuesi, duke iu referuar dhe botimit të tij për problemet me krijimtarinë dhe kritikën letrare.
Problemet vazhdojnë
Kritikat e studiuesit Behar Gjoka vijnë në vijim dhe të autorëve të tjerë më parë, sipas të cilëve Ministria e Kulturës ka vijuar me të njëjtën mënyrë. Behar Gjoka thotë se i qëndron asaj që ka shkruar disa vite më parë, por këtë herë ai ka kritika edhe për Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, në varësi të Ministrisë së Kulturës. “Unë vazhdoj ti qëndroj asaj që kam shprehur dhe dikur, që çmimet letrare tek ne ndahen sipas shijes të një klani të caktuar që ka dhe pushtetin. I qëndroj ende kësaj, madje tani është fiksuar nëpërmjet një institucioni, që është Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit”, thotë studiuesi Behar Gjoka në një reagim të tij. Vite më parë studiuesi i letërsisë Gjoka shprehej, se shumë çmime që ndahen nga Ministria e Kulturës si dhe mungesa e kritikë krijojnë një paradoks. “Prania e kaq shumë çmimeve letrare, që jepen nga ana e Ministrisë së Kulturës, pra dhjetë të tilla, si dhe mungesa e madhe e kritikës letrare, krijojnë një paradoks të rrokshëm në marrëdhënie me letraren”, shkruante Gjoka. Çmimet kombëtare të letërsisë, të krijuara prej vitesh nga Ministria e Kulturës, si edhe të kthyera tashmë në një traditë, janë pohuar prej saj dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit si aktiviteti më i rëndësishëm në gjykimin e vlerave letrare të një viti. Por më parë edhe autori e studiuesi Xhahid Bushati gjithashtu u shpreh me kritika pas çmimeve kombëtare të letërsisë, që u shpallën në vitin që lamë pas.






































