Festivali “MetroSound” me “Jehonë Arbëreshe” nis sot në teatrin Metropol. Një aktivitet nën drejtimin artistik të pianistit dhe kompozitorit Robert Bisha, i cili do të sjellë në gjashtë net për publikun muzikën, traditën dhe kulturën arbëreshe. “MetroSound” do të zhvillohet në teatrin Metropol në datat 10, 11, 12 dhe 17, 18, 19 mars. Për disa net me radhë do të organizohen takime mbi kërkime etnomuzikologjike, antropologjike, do të organizohen koncerte e takime muzikore të ndryshme, të cilat vijnë në dimensione jo vetëm të botës muzikore world music, por shkojnë edhe përtej idesë së përkufizimit në një zhanër. Multiinstrumentisti dhe kompozitori Robert Bisha, i cili prej vitesh jeton në Itali shprehet se “Jehonë Arbëreshe” është një projekt, i cili po organizohet për të hapur gjithnjë e më shumë dimensione të tjera koncert pas koncerti dhe për t’i dhënë mundësinë publikut të jetë totalisht pjesë e këtij evenimenti tematik. “Çdo natë do të ketë takime koncertore me artistë nga Shqipëria, Kosova, Italia dhe Franca, ku të gjitha janë dedikuar si një homazh për kulturën muzikore arbëreshe”, shprehet Robert Bisha. Ky projekt do të zgjasë për gjashtë net dhe nga teatri Metropol është publikuar dhe programi artistik. Projekti i ri artistik “MetroSound” – “Jehonë Arbëreshe” vjen nga teatri Metropol në bashkëpunim me Tirana European Youth Capital (TEYC 2022) dhe Kongresin Rinor Kombëtar, i cili do të sjellë për publikun muzikën, traditën, gjuhën dhe kërkime e hulumtime mbi kulturën arbëreshe.
Programi artistik
Programi nis sot në mbrëmje në orën 19:00. Dita e parë është menduar si një takim mes studiuesish, etnomuzikologësh e antropologësh, ku kryefjala e këtij eventi është etnomuzikologu Nicola Scaldaferri, kompozitor dhe profesor në universitetin e Milanos dhe pikë referimi nga etnomuzikologët shqiptarë. Takimi do të moderohet nga drejtori artistik i këtij projekti, pianisti dhe kompozitori Robert Bisha. Më 11 mars do të ngjitet në skenë kori polifonik i vajzave arbëreshe “Lule Sheshi”, i udhëhequr nga M° Scaldaferri, por dhe siç e do tradita nga nënat apo të afërmit e tyre. Janë pesë vajza të reja që këndojnë me shumë pasion dhe çiltërsi polifoninë e gjyshërve të tyre, polifoninë e tyre arbëreshe shumë të pasur dhe me influenca bizantine, por dhe kujtime nga polifonia që karakterizonte shqiptarët në vitet 1400. Më 12 mars, trio vokale Samaia nga Parisi do të ngjitet në skenën e teatrit gjatë natës së tretë të “Jehonë Arbëreshe”. Më 17 mars, një natë ndryshe nga netët e mëparshme, shkëputet nga polifonia vokale, dhe i dedikohet kryesisht muzikës instrumentale. Kitaristi, improvizuesi dhe kompozitori Paolo Angeli do të prezantoj në teatrin Metropol projektin e tij të fundit “JAR’A”. Ai bën kërkime mbi muzikën mesdhetare, të folkut të pasur të Sardenjës, e cila duket si një orkestër që shkon në të gjitha drejtimet që dëshiron. Më 18 mars koncert nga Robert Bisha, piano solo “Nostalgjia Arbëreshe” Shqipëri- Itali. Nata e fundit e projektit me “Jehonë Arbëreshe” më 19 mars do të ngjisë në skenën e teatrit një grup artistësh “Kolektiv- Score for Arbëresh” të drejtuar nga Robert Bisha, me pjesëmarrje nga artistë shqiptarë dhe italianë.