Kryendeshja e javës së 28-të në Premier League angleze rezervoi një derbi, atë të Mançesterit, midis Sitit dhe Junajtid, fituar nga “qytetarët”, por në kushte të tilla një fitore me shumë vlerë për renditjen, pasi Siti e sheh veten të avancojë në klasifikim dhe, kur mbeten edhe 10 javë deri në fund, me fitoren e djeshme e ka bërë një hap përpara drejt objektivit të tij final. Por dje “djajve të kuq” u mungonin disa lojtarë të rëndësishëm, midis të cilëve Kristiano Ronaldo, apo dhe uruguajani Edinson Kavani. Ritmin e këtij takimi e diktuan “Qytetarët”, të cilët zhbllokuan rezultatin në minutën e 5-të me Kevin de Bryne. Në minutën e 22-të “Djajtë e Kuq” barazuan me Sançon, i cili realizoi pas një asisti nga Pogba. Megjithatë, ky barazim zgjati vetëm pesë minuta, kjo pasi në minutën e 28-të, De Bryjn do të realizonte dopietë, duke bërë që fraksioni i parë i kësaj supersfide të mbyllej me rezultatin 2-1. Ndërsa pjesën e dytë Siti do të vijonte dominimin total të derbit duke shënuar edhe dy herë të tjera në portën e De Geas. Ishte Mahrez ai i cili i dhuroi golin e tretë “citizenëve”, duke realizuar në minutën e 68-të pas një shërbimi nga De Bryjn, që në këtë takim ishte në top formë. Teksa në minutën e 90-të, Mahrez do të realizonte dopietë dhe në të njëjtën kohë të shënonte golin e katërt për vendasit. “Djajtë e Kuq” kishin mungesa të rëndësishme në këtë derbi, trajneri Ralf Rangnik luajti sot, siç thamë pa dy yjet e tij, Kristiano Ronaldon dhe Edison Kavanin, të dy të dëmtuar. Ekipi i Guardiolës tregoi një formë të frikshme dhe “blindoi” më tej kryesimin e elitës së futbollit anglez, me plot 69 pikë. Teksa skuadra e Rangnik nga ana tjetër renditet e pesta me 47 pikë, një më pak se Arsenal i vendit të katërt, që është edhe pozicioni i fundit që mund të luajë në Champions League. Ndërkohë, 4 fitore radhazi në Premier League, vendi i katërt në renditje, që do të thotë përfshirje në zonën Champions. Arsenali duket se ka gjetur ritmin e duhur në kampionat dhe këtë e vërtetoi fitorja e fundit 2-3 në fushën e Uatfordit. “Topçinjtë” e nisën në mënyrën më të mirë të mundshme sfidën në “Vicarage Road”, ku shënuan që në minutën e 5-të me Martin Odegard, që u shërbye nga Saka. Vendësit kthyen baraspeshën në rezultat vetëm pas gjashtë minutash lojë me Kuço, megjithatë në të 30-të Saka kaloi sërish në epërsi “Topçinjtë”. Pjesa e dytë nisi me një tjetër gol për Arsenalin, me firmën e Martinellit, ndërsa në të 87-tën Sisoko realizoi golin e fundit të sfidës dhe të rezultatit përfundimtar 2-3. Një fitore me vlera për skuadrën londineze.






































