Numri i ulët i rasteve të reja nga Covid vijon të mbetet në shifra të ulëta. Epidemiologu Ilir Alimehmeti, foli lidhur me masat që janë ende në fuqi, ndërkohë që numri i rasteve është ulur ndjeshëm u shpreh, se masat duhet që të hiqeshin me kohë. Sipas tij, ka një numër të ulët personash të prekur nga Covid-19 në vend. “Masat duhet që të hiqeshin me kohë. Unë mendoj se këto masa janë duke qëndruar pa arsye në fuqi. Numrat e infektimeve janë ulur, që nga fundi i janarit dhe i gjithë muaji shkurt ka pasur rënie të ndjeshme të infektimeve dhe rënia vazhdon akoma. U bënë gati 5 javë që kemi një rënie të vazhdueshme dhe masat duhet që të hiqen mendoj. Me këto shifra që ne kemi, mund të them se është një numër shumë i ulët i infektimeve, po ashtu edhe i personave të shtruar në spitale. Vala me e madhe ka kaluar dhe çdo lloj vonese shkakton probleme social, po ashtu edhe ekonomike”, tha ai. Edhe më herët epidemiologu Ilir Alimehmeti, ka folur lidhur me situatën e pandemisë në vendin tonë. Ai është shprehur se Shqipëria duhet të heqë zyrtarisht masat anticovid. “Mendoj që në pranverë, shumë nga shtetet por edhe OBSH mund të caktojë të deklasifikojë situatën jashtë fazës akute. Patjetër do të kemi raste dhe vatra. Fundin do e prekim që në mars, se ne po shohim që shifrat po bien. Qartësisht asnjë shtet nuk e ndalon dot transmetimin e këtij virusi. Dielli nuk mbulohet me shoshë, prandaj masat qartësisht nuk kanë vlerë, por bëjnë dëm nga ana sociale dhe ekonomike”, thotë ai.
Numër i ulët infektimesh nga Covid-19
Ndërkohë, shifrat nga Covid-19 vijojnë të jenë të ulëta. Ministria e Shëndetësisë, raportoi se nga 2.030 testime kanë rezultuar 139 qytetarë të infektuar. Sipas ministrisë, në 24 orët e fundit janë shënuar 3 humbje jete. Ndër të tjera, ministria bënë me dije edhe qytetet në të cilat janë regjistruar rastet e reja nga Covid.“Ju informojmë për situatën në 24 orët e fundit, si vijon: Janë kryer 2,030 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me Covid- 19, 139 qytetarë, në këto bashki: 49 në Tiranë, 21 në Fier, 11 në Sarandë, 8 në Berat, 6 në Shkodër, 4 në Gramsh, 3 në Mirditë, Durrës, Kamëz, Delvinë, Korçë, 2 në Kurbin, Patos, Përmet, Pogradec, Dimal, Kuçovë, Elbasan, 1 në Kukës, Tropojë, Lezhë, Shijak, Krujë, Rrogozhinë, Lushnje, Divjakë, Mallakastër, Vlorë, Gjirokastër. Janë 2,211 pacientë aktivë me Covid-19 në të gjithë vendin. Në 24 orët e fundit me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor ka tre humbje jete me SARS-COV2 pozitiv: një qytetar nga Korça 67 vjeç, një qytetar nga Tirana 70 vjeç, një qytetar nga Vlora 84 vjeç”, thuhet në njoftim. Ndër të tjera, ministria bënë me dije se në spitalet Covid po marrin trajtim 45 pacientë “Aktualisht në spitalet Covid po marrin trajtim 45 pacientë, nga të cilët 8 janë në gjendje më të rënduar. Janë shëruar 431 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 266,019 që nga fillimi i epidemisë’, thuhet në njoftim.



































