Titullari i institucionit të artit dhe kulturës ka mandat 4-vjeçar, thuhet në ligjin për artin dhe kulturën. Ligji i vitit 2010 është dhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës, por për artistët po injorohet. Në reagimet e tyre artistë të ndryshëm shprehen se Ministria e Kulturës ka përgjegjësi për moszbatimin e tij. Reagimi i tyre vjen në një kohë kur kemi dhe titullarë, që vazhdojnë të jenë në krye të institucioneve të artit dhe pse iu ka mbaruar mandati, si në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor apo dhe në Muzeun Historik Kombëtar. Në Cirkun Kombëtar ka një drejtor të komanduar, Erzen Shkololli u largua nga institucioni i Galerisë Kombëtare të Arteve pasi kishte përfunduar mandati, por ende nuk kemi konkurse të shpallura nga Ministria e Kulturës. Artisti Gramoz Burba thotë se ashtu si zbatohen rregullat për artistët në institucione, ashtu duhet dhe ligji për drejtuesit. “Ministria e Kulturës patjetër që duhet të hapë konkurse kur ka titullarë institucionesh, që iu ka mbaruar mandati. Pse për një korist zbatohen rregullat, bëhen teste pas testesh? Këta pse duhet të jenë më të privilegjuar”, thotë ndër të tjera Gramoz Burba, një nga artistët e vlerësuar të skenës. Me kritika shprehet dhe tenori Rudi Sata. Ai thotë se po tallen me ligjin, duke vazhduar të rrinë titullarë në krye të institucioneve edhe pse iu ka mbaruar prej kohësh mandati. “Këto drejtues institucionesh e kanë treguar qartësisht se ato jo vetëm që nuk kanë respekt për imazhin e institucioneve, por edhe tallen me ligjet, duke bërë haptazi shmangie të ligjit. Kjo është një shkelje e rëndë ligjore. Mjafton të përmendim edhe çështjen e mandateve të titullarëve të institucioneve. Këta nuk pyesin për ligje. Paçka se ligji 10352 , neni 9, e ka të përcaktuar se mandati i titullarit është 4 vjeçar. Pse nuk zbatohet ky ligj? Sa titullarë institucionesh të kulturës janë me mandat të përfunduar? Pse nuk shpallet konkurs?”, thotë tenori Sata.
Titullarët janë ligjzbatues
Titullarë institucionesh që vijojnë në poste drejtuese pa mandat, por tenori Rudi Sata thotë se Ministria e Kulturës është përgjegjëse. “Nuk është hera e parë që ligji dhunohet dhe injorohet. Kush e mban përgjegjësinë? Sigurisht që e ka ministrja e Kulturës për moszbatim të ligjit aktual”, thotë Sata. Për tenorin Rudi Sata është koha për t’i thënë ndal abuzimeve. “Siç e theksova edhe më lart, që edhe rasti i titullares së TKOBAP apo i muzeut, etj, është pjesë e abuzimit me ligjin. Këtu nuk po flasim për emra të përvetshëm. Po flasim në parim, që ligji duhet të zbatohet dhe të interpretohet siç është shkruar dhe jo të devijohet sipas tekave të ministres. Titullarët e institucioneve janë ligjzbatues dhe jo krijues të ligjeve”, thotë Sata. Në institucionet e artit, Zana Çela u emërua drejtoreshë e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në gusht të 2016, ndërsa Dorian Koçi u emërua si drejtor i Muzeut Historik Kombëtar në shkurt të 2017. Institucionet e artit në vend në funksionojnë me ligjin nr. 10 352, datë 18.11.2010 për artin dhe kulturën. Neni 9 në pikën 1 thotë se: “Titullari i institucionit publik qendror të artit dhe kulturës ka mandat 4-vjeçar”. Ndërsa në pikën 3 thuhet se emërimi i titullarit të institucionit publik qendror bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave pas procedurave të konkurrimit të zhvilluara nga ministri përgjegjës për artin dhe kulturën.