Epidemiologu, Ilir Alimehmeti është ndalur tek varianti i ri i Covid-19, Flurona. Me anë të një analize të bërë në rrjetet sociale, Alimehmeti sqaron se çfarë ndodh kur ka dy viruse në qarkullim. Referuar disa studimeve të publikuara, epidemiologu sqaron se infektimi i njëkohshëm me grip dhe SARS-CoV-2 është jashtëzakonisht shumë i rrallë dhe në rastet e identifikuara ka prekur persona të rinj që relativisht janë të shëndetshëm. “Të kuptojmë çfarë ndodh kur ka dy viruse në qarkullim. Nëse hipotetikisht 10% e popullatës është e infektuar me SARS-CoV-2, siç po ndodh me variantin Omicron, dhe 0.1% e popullatës është me grip, mundësia për t’i pasur të dyja është: 10% x 0.1% = 0.01%.”, tha Alimehmeti. Ndër të tjera, epidemiologu Ilir Alimehmeti i kushton rëndësi edhe mënyrës së përhapjes së informacionit, ku shprehet se shumë njerëz u shqetësuan më kot nga termi “Flurona”. Ai tha se nuk duhet larguar nga fokusi edhe shëndeti mendor. “Për infektimin e njëkohshëm me grip dhe SARS-CoV-2 mediat ndërkombëtare, jo vetëm që shkruan gjerë e gjatë, por i krijuan edhe një emër të përveçëm: “Flurona”! Shumë njerëz u shqetësuan më kot nga ky lajm, por mos harroni miqtë e mi se mediat nuk mendojnë për pasojat e shëndetit mendor te lexuesit, por vetëm për klikimet! Studiuesit e qendrës elitare Mayo Clinic në SHBA publikuan më 05 janar 2022 të dhënat e pacientëve të shtruar me Covid-19 gjatë periudhës Janar 2020 – Janar 2022, pra praktikisht gjatë të gjithë pandemisë. Në total u përfshinë në studim: 3.003 spitale të rrjetit CMS, 171.639 pacientë të shtruar me SARS-CoV-2, nga të cilat 73 raste totale me Flurona në dy vite. Pra, shifra qesharake me Flurona për të cilën u shqetësua globi ishte: 0.043% e pacientëve, ose 1 pacient ndër 2.325 të shtruar me SARS-CoV-2”, tha ai.









































