Qeveria ka zbardhur procedurat që do të ndiqen për të mos dhënë më në dorë pensionet. Vetë Banka e Shqipërisë pak javë më parë deklaroi se synon që brenda dy viteve pensionet të kalojnë të gjitha në banka. Ndërkohë gazeta ka siguruar procedurat që do të nisin dhe nëse do ketë kosto kjo për pensionistët. Sipas Programit të Reformave Ekonomike 2022–2024 të qeverisë, ISSH do të angazhohet që ky proces të finalizohet sa më shpejt. “Shpërndarja e pensioneve apo e pagesave të tjera nëpërmjet llogarive bankare ka disa avantazhe për ISSH-në, në drejtim të uljes së kostove, uljes së humbjeve dhe të tjera. Për përfituesit, hapja e llogarive bankare, u mundëson atyre familjarizimin me format digjitale të pagesave dhe aksesin në shërbime të tjera financiare. ISSH-ja duhet të përdorë transfertat në llogaritë bankare, si norma kryesore e shpërndarjes së pensioneve, dhe të bëjë përjashtime të raste të veçanta (gjithmonë me synimin afatgjatë për të evituar pagesat cash)”, thuhet në strategji. Më tej bëhet e ditur se pensionistët nuk do të kenë kosto për llogaritë e tyre bankare. “Llogaritë duhet të kenë kosto të ulëta ose asnjë kosto për pensionistët (e ngjashme më llogaritë e pagave, ose llogarisë bazë)”, thuhet më tej. Pra kushdo pensionit do të paraqitet në një bankë të nivelit të dytë me kartë identiteti dhe mjafton tu thotë punonjësve që do të apë një llogari pensioni. Më pas të dhënat duhet të dorëzohen pranë ISSH, ose bëhet aplikim online te E-Albania tek opsioni “Kontribute dhe Pensioni” dhe aty përzgjidhet shërbimi “Kërkesë për transferim dosjeje përfitimi”.
Edhe pagesat sociale në bankë
Përveç pensioneve, synohet që edhe pagesat sociale të bëhen në banka. Edhe për këtë kategori kostot do jenë minimale. “Me shumë pak përjashtime, aktualisht pagesat e programeve sociale bëhen në cash. Sikurse në rastin e pensioneve, kryerja e këtyre pagesave me llogari bankare ka disa avantazhe, si për administratorët e programeve sociale, ashtu edhe për përfituesit. Sikurse në rekomandimin 1, përfituesit duhet t’i marrin përfitimet nëpërmjet llogarive që kanë kosto të ulët ose pa kosto (llogaria bazë). Llogarimbajtësit duhet të kenë akses nga disa pika të shpeshta te llogaria e tyre. Kjo do të realizohet nëpërmjet transpozimit të direktivës “Mbi llogarinë e pagesës” dhe nëpërmjet zbatimit të ligjit “Mbi shërbimet e pagesave”, i cili krijon mundësi për aktorë të si një dhe shërbime të reja nëpërmjet zgjerimit të agjentëve bankarë dhe digjitalë”, thuhet në planin e qeverisë.
Pagat e administratës
Në programin ekonomik sugjerohet që Ministria e Financave dhe Ekonomisë të marrë në konsideratë opsionin që transfertat për pagat e administratës të kryhen nga llogaria që ka në Bankën e Shqipërisë drejt llogarive të përfituesve, pa përdorur palë të treta. “Në këtë mënyrë, punonjësit e administratës publike mund të zgjedhin vetë bankën ku bëhet pagesa. Sipas këtij skenari, probabiliteti që individët të ruajnë paranë dhe të përdorin instrumente të pagesave elektronike është i lartë. Gjithashtu, pasja e një llogarie i mundëson individët të ndryshojnë
bankën në rast se nuk janë të kënaqur me shërbimin në bankën aktuale. Ministria e Financave dhe Ekonomisë duhet të ekzekutojë transaksionet duke përdorur llogarinë e saj në Bankën e Shqipërisë nëpërmjet AECH-së. Ajo duhet të marrë informacion nga njësitë përkatëse mbi llogaritë e përfituesve dhe shumat përkatëse, dhe këto njësi janë përgjegjësi për saktësinë e informacionit”, theksohet më tej.