Ministria e Kulturës ka nisur konsultimet për Bonusin e Rijetësimit. Kjo u bë me dije nga ministrja e Kulturës Elva Margariti, që thotë se bonusi i vjen në ndihmë banorëve. “Kemi nisur një fushatë informimi dhe konsultimi në qytete të ndryshme të Shqipërisë për Bonusin e Rijetësimit, kësaj nisme të Ministrisë së Kulturës për të mbështetur banorët që duan të mirëmbajnë ose rijetësojnë godinat e tyre, në qendrat historike”, shprehet ministrja Margariti. Sipas ministres së Kulturës, kjo është një skemë që forcon bashkëpunimin mes shtetit dhe privatit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, përmirësimin imazhit të qyteteve dhe krijimin e kushteve për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Për Bonusin e Rijetësimit ministrja Elva Margariti ishte në Gjirokastër. Sipas ministres së Kulturës, është një nismë që kërkon kontributin e drejtpërdrejtë të komunitetit dhe vullnetin për të ndryshuar faqen e qyteteve tona. “Ky bonus, që do të jepet në formë granti për mirëmbajtje dhe rijetësim të objekteve në këto qendra, me shuma nga 1-5 milionë lekë, vjen bashkë me një paketë mbështetëse të qeverisë në kulturë, agroturizëm, infrastrukturë, me vizionin për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”, shprehet ministrja Elva Margariti. Sipas saj, pas prezantimit në Gjirokastër do të vijohet edhe në qytete të tjera. “Për të informuar dhe mbledhur shqetësimet dhe sygjerimet e komunitetit, që është përfituesi direkt i këtij bonusi”, shprehet ministrja Elva Margariti. Në trashëgiminë tonë kulturore herë pas here janë pohuar problemet për restaurimin e banesave, që janë monument kulture. Gjirokastra ku ishte së fundmi ministrja Elva Margariti, nga specialistë të fushës është pohur se ka probleme jo pak si qendër historike. Disa kohë më parë Bonusi i Rijetësimit u prezantua në Berat.