Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë hedhur dje një tjetër hap të rëndësishëm sa i takon zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit. Një ditë më parë gazeta e deklaroi se baza e PD propozoi Luan Hotin në Durrës për kandidat për kryebashkiak, ndërsa në Rrogozhinë është propozuar emri i Ferdinand Saraçit. Ndërkohë sot që flasim janë zbuluar edhe emrat e tre prej kandidatëve të Partisë Demokratike për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit në bashkitë Shkodër, Lushnjë dhe Vorë, duke e çuar në katër numrin në total që PD ka piketuar deri më tani. Kështu burime nga selia blu për gazetën “SOT” bëjnë të ditur se Partia Demokratike do të garojë në Bashkinë Shkodër me Xhemal Bushatin, i cili më parë ka mbajtur postin e ish-kryetarit të Këshillit Bashkiak Shkodër. Ndërsa për Bashkinë Lushnjë sipas të njëjtave burime, mësohet se baza e PD ka propozuar emrin e Indrit Sefës, sekretarit për Marrëdhëniet Ligjore dhe Proceset Zgjedhore në Partinë Demokratike. Ndërsa Ymer Marku është propozimi i degës së e PD-së në Vorë për kandidat për kryetar Bashkie. Kujtojmë që kandidatët e propozuara nga baza do i nënshtrohen më pas shqyrtimit dhe miratimit nga Kryesia e PDSH. Mësohet se në Dibër po diskutohet mes dy emrave, Naim Gazidede i cili është kryetar i degës dhe Luan Haka që ka detyrën e Sekretarit. Në diskutime ka qenë edhe emri i ish-deputetit Xhemal Gjunkshi. Pra duket qartë që Partia Demokratike ka hedhur piketat e para për zgjedhjet e 6 marsit, pavarësisht përplasjeve me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe mbështetës të këtij të fundit.
PS prezanton kandidatin e Lushnjës
Por përveç Partisë Demokratike, edhe Partia Socialiste vijon me përgatitjet për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit. Pak ditë më parë gazeta zbuloi 5 kandidatët e PS për 6 bashki, ndërkohë që dje ka qenë kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ai i cili zbuloi emrin e 6 të socialistëve. Balla mblodhi ditën e djeshme Asamblenë Socialiste të këtij qyteti në kuadër të përgatitjes për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, ku do të garohet dhe në këtë bashki. Gjatë fjalës së tij para socialistëve, Balla i dha mbështetje të plotë kandidates Eriselda Sefa. Madje ai shtoi se mazhoranca socialiste nuk ka kundërshtarë në këto zgjedhje, duke theksuar se gjithçka do të fokusohet në takimet derë më derë me njerëzit dhe jo me mitingje të mëdha. “Nuk ka socialistë dhe demokratë, por qytetarë të Lushnjës, ne nuk kemi kundërshtar në këto zgjedhje. Lëvizjen e Saliut dhe Ilirit me LSI-në, apo atë që ka mbetur nga partia e Lulit. Asnjë minutë të mos merremi me kandidatët e kundërshtarëve. Ne nuk kemi kohë të merremi me ta. Sapo kemi mbaruar një palë zgjedhje. Dua ta them troç, që Eriselda ka mbështetjen e plotë të Kryeministrit dhe qeverisë, për të çuar përpara projektet e qeverisë. Pas 11-12 muaj nga sot ne do kemi hyrë sërish në zgjedhje për bashkitë dhe këshillat bashkiak. Kontrata me qytetarët e Lushnjës do jetë 12 muaj, për të provuar se çfarë kemi bërë”, deklaroi Balla. Ndërkohë duke folur në mbledhje, kandidatja Sefa theksoi se garën për zgjedhjet e 6 marsit, e sheh si një përgjegjësi për t’i shërbyer më mirë qytetarëve lushnjarë, ndërsa kërkoi mbështetjen e tyre. Kujtojmë se aktualisht Sefa është kryetare e komanduar e bashkisë së Lushnjës pas shkarkimit nga kryeministri Edi Rama të ish-kryetarit Fatos Tushe, ndërkohë që më herët Partia Socialiste ka zbuluar edhe emrat e kandidatëve për bashkitë Vorë, Shkodër, Dibër, Rrogozhinë dhe Durrës.