Sokol Kushta: Në FSHF punohet katër vjet për të fituar një ditë, federata ngjan si biznes i presidentit

0
291

Shumë të rinj sot ndoshta nuk e dinë, por Sokol Kushta, sulmues i madh i Flamurtarit, Partizanit dhe Kombëtares së Shqipërisë, është i vetmi lojtar në historinë e futbollit shqiptar që është kandiduar për “Topin e Artë”, këtu e 35 vjet më parë. Njeriu që ka koeficientin më të mirë të realizimit në përfaqësuese, autor i golave lapidar ndaj Partizanit të Beogradit, Barcelonës, kundër përfaqësueses greke etj, konsiderohet padyshim si një nga më të mëdhenjtë e futbollit tonë. Jo vetëm kaq, Kushta është ndër ata figura që nuk ka pranuar ta njollosë veten për t’u bërë palë me ndokënd, duke qëndruar larg pazareve dhe kompromiseve në dëm të futbollit. E pikërisht kjo, i ka mundësuar atij të shprehë mendimin e vet origjinal, një qëndrim parimor në krah të futbollit e kundër kulisave. Ai e ka të qartë që në Shqipëri po të kritikosh konsiderohesh armik, por Sokol Kushta nuk ka bërë asnjë ditë kompromis me të pavërtetën dhe në dëm të futbollit. Ky është fakti dhe fakti duhet thënë me germa të mëdha. Në këtë rubrikë, nisur dhe nga zhvillimet në FSHF dhe zgjedhjet e marsit për president të federatës, sjellim intervistën me këtë personalitet të madh të sportit tonë, personalitet që e çmojnë shqiptarët jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë.

– Për pak javë zhvillohen zgjedhjet në FSHF. Nga njëra anë qëndron politika që ka intensifikuar lëvizjet e saj, duke shqetësuar edhe organizmat ndërkombëtare, kurse nga ana tjetër qëndron Armand Duka, që, si asnjë rast tjetër në Europë, kandidon për një mandat të gjashtë. Cili është mendimi juaj?

Ju thoni ndërhyn politika, por vetë Dukën kush e solli në krye të federatës, a nuk e vendosi politika? Dikush mund të thotë ishte biznesmen. Dakord, edhe unë bëj biznes, por jo, ishte politika që e solli në krye të federatës, një person që deri atëherë nuk e njihte fare futbollin. Por, politika bëhet e mirë kur të mbështet, e del e keqe kur të kundërvihet. Në rang institucional kërkohet bashkëpunim dhe duke qenë në krye të federatës je i detyruar të bashkëpunosh. Ka shumë faktorë që të detyrojnë të bashkëpunosh me politikën. Kështu është, na pëlqen apo nuk na pëlqen ne. Mendoj se është po aq abuziv qëndrimi që politika ndërhyn në zgjedhjet e sportit. Problemet e sotme të futbollit shqiptar të detyrojnë të bashkëpunosh. Kam prej vitit 2006 që insistoj që klubet të privatizohen. Kështu është deklaruar edhe nga FSHF, por kjo nuk ka ndodhur dhe shumica e klubeve janë shtetërore, pra investohen nga shteti. Sa kohë investohen nga shteti, pra bashkitë, është e drejtë e bashkive të jenë të përfshira. E pra, bashkitë janë politike, a ka ndonjë që thotë se Bashkitë nuk janë politike? Bashkitë mbajnë në masën 80-90% buxhetin e klubeve. Nëse nuk do të ishin bashkitë, sot nuk do të kishim futboll. Pse Duka nuk shkoi të bisedonte me qeverinë për këto çështje? S’ka shkuar sepse nuk ka dashur. E parë në këtë formë, FSHF sot ngjan si një biznes i Dukës. Ka kaluar shumë mandate dhe ka ndryshuar disa herë statutin. Punon katër vjet për të fituar një ditë, në një kohë që normaliteti e do që të votohesh një ditë për të punuar në shërbim të sportit 4 vjet. Federata ka shumë të ardhura dhe në këto 20 vjet bëhet fjalë për 150 milionë euro, që do të thotë qarkullojnë mbi 7 milionë euro në vit. Nuk e di si i ka bërë presidenti këto? Pra erdhën nga Europa. Thonë se na kualifikoi në Francë-2016. Po si na kualifikoi, e bëri ky golin e suksesit? Mua më trishton ndeshja me Armeninë, sidomos kur përgojohet, jo u ble e jo u shit. Unë besoj se djemtë luftuan fort, nuk dua ta besoj atë gjënë tjetër që përflitet lart e poshtë se më trishton. Një tjetër problem që unë do të përmendja këtu ka të bëjë me privatizimin e klubeve, nuk është bërë pothuajse asgjë. Do të dëshiroja që të kishte futboll në shkolla, nga klasa e 8-të. Ja, për këto duhet federata. Por është fakt që federata pa bashkitë nuk bën dot asgjë. Një tjetër problem është ndarja e fondeve, ku rëndom përflitet se ka selektime. Një tjetër problem, që e kam pikasur është se kur udhëton Kombëtarja, gjysma e aeroplanit është me gazetarë dhe presidentë klubesh, pra miq të presidentit. Kjo situatë ka 20 vjet që vazhdon. Tani, më thuaj, si mund të shkruajnë keq këta gazetarë për zhvillimet në FSHF? Për kupolën drejtuese të federatës po shkruajte keq konsiderohesh armik. Këtu, në formë këshille do t’i parashtroja që futbolli fillon nga baza, nga moshat e vogla, akademitë e klubeve, e pastaj vijnë klubet e para. Kjo gjë në tërë këta vite nuk ka ndodhur dhe të gjitha janë fakte.

– Institucioni nuk përbëhet vetëm nga një person, federata është më shumë se një president….

Një institucion nuk bëhet kurrë serioz kur të gjithë punojnë për mandatin e presidentit e jo për hallet e futbollit. Shumë miq të tij të dikurshëm gjenden tani në llogoren e armiqësisë, përfshi dhe kandidatin rival. Këtu ka diçka që nuk shkon, sepse shumë gjëra përfliten lart e poshtë. Rivali shprehet se në stadiume bërtasin “u shit, u ble”. Po a nuk ishte ai bashkë me Dukën? Pse u ndanë tani? Sa më takon mua, do të dëshiroja që të kishte ndryshime, një rotacion bën mirë. Jo vetëm kaq por duhet edhe transparencë. Duka është i pasur, por si u bë, nga puna e biznesi i tij, apo nga federata? E di që fjalët e mia nuk priten mirë, por unë këtu nuk kam objektiv Dukën si person, mua si Sokol Kushta më shqetëson e ardhmja e futbollit shqiptar dhe jam në të drejtën time të komentoj zgjedhjen e presidentit të federatës.

– Një nga problemet që diskutohet shumë dhe që nuk është i ri, janë shoqatat sportive, ku ka shumë debate, pasi ato masivisht votojnë Dukën. Çfarë mendimi keni për to?

Nuk e kuptoj se si funksionojnë këto shoqata. Ne kemi klubet, ku me të drejtë secili duhet të ketë votën e tij. Edhe arbitrat kanë shoqërinë e tyre dhe mund të shprehen me votë. Rivalin e dëgjova të thotë se Duka paracakton garën nëpërmjet arbitrave. Kjo është shumë e rëndë. Arbitrat nuk duhej të vareshin nga presidenti i federatës. As sektori juridik nuk duhet të ketë punë me presidentin. Kurse nëpërmjet shoqatave mësojmë çdo katër vjet nga një gjë të re. Shiko! Unë e kam uruar Dukën edhe mw herët, por shqetësohem që ka rival këtë herë një kandidat me të cilin ka bashkëpunuar 20 vjet. Problemi im i vërtetë nuk është Duka, por struktura e funksionimit të federatës.

– UEFA dhe FIFA nuk tolerojnë ndërhyrjen e politikës në sport. Ta themi hapur, ato kanë dalë në krah të Dukës. A nuk është dhe kjo një shenjë anësie?

Dua ta lidh fillimisht me një vizitë që bëri Platini këtu në vitin 2007, ku takoi edhe kryeministrin e kohës. Në atë kohë vura re se fondet vinin “lumë”. Pse vallë? Pashë kryeministrin që dukej i lumtur me Platininë në krah, por në fakt Platinisë i duhej vota e Dukës jo e Berishës. Siç e dini ndaj Platinisë pati një proces për abuzim financiar. Edhe Blateri i FIFA-s doli hajdut. Këto institucione nuk duan ndërhyrjen e politikës, pasi këta janë shndërruar në shtet brenda shtetit. Por shtetet e përparuara kanë mekanizmat e duhur për të bërë kontrollin, prandaj atje nuk konceptohen dot problemet që kemi këtu. Në FSHF ka pasur më parë specialistë e këshilltarë e funksionarë që shprehnin mendimet e tyre për futbollin si Starova, Hafizi, Kushta etj, por mendimi kundër u eliminua nga Duka hap pas hapi. Në FSHF je ose mik, ose armik. Në federatë ka një kupolë me 10 veta që rrinë printo. Por unë s’jam i tillë. Në vitin 2007, në një ndeshje Flamurtari-Teuta, kur isha drejtor klubi, diçka nuk shkonte me gjyqtarin dhe unë, që njerëzit të mos acaroheshin, i kërkova gjyqtarit të bënte kujdes. Më pezulluan një vit, edhe pse rregullorja e kishte vetëm për dy ndeshje. Kohë më vonë takoj personin që më ndëshkoi dhe më tha se kishte marrë urdhër ta bënte këtë gjë. Pastaj nisa të pyes veten: Po ç’lidhje kam unë me këtë futboll? Unë jap mendimin tim e këta s’më dëgjojnë e s’më duan, atëherë tërhiqem. Por, i kthehem asaj që thashë në fillim, bashkitë nuk mund të anashkalohen, pasi ato financojnë ekipet me miliona euro.

– Kemi dy kandidatë të deklaruar deri tani. Kë shihni fitues?

Unë jua thashë pak më lart që Duka ka punuar 4 vjet për ta fituar këtë ditë. Të tjerë kandidatë nuk ka. Do të lumturohesha po të kandidonin Eduard Dervishaj, Igli Tare, Lorik Cana, por… Dervishajn e njoh, është i ndershëm, punëtor, zyrtar i pastër. Mua s’më pëlqen gjendja e tanishme, sepse s’dua ta quaj as diktaturë. S’i ngjajmë as Kosovës, që funksionon sipas rregullave, ku ka një bashkëpunim shumë të mirë mes shtetit e federatave. Ne nuk jemi as sa çereku i tyre. Duka thotë kam investuar, por a mund ta mohojë njeri që stadiumet në Elbasan, Shkodër, Kukës e Tiranë nuk kanë dorën e qeverisë? Unë kam dhënë mendimin tim, në dukje kritik, por e shoh që më largohen edhe miqtë. Funksionon si në kohën e Enver Hoxhës, “mos rri me këtë se është kulak, ky tjetri ka njollë në biografi”. Se kuptoj pse duhet të ndahemi pse japim një mendim kundër? Duhet sa më parë të privatizohen klubet, në mënyrë që taksat që mbledhin bashkitë të shkojnë për trotuare, investime publike, shkollat etj, e jo të paguhen miliona lekë në muaj lojtarë të huaj. E nga ana tjetër, kampionati shqiptar nuk prodhon një lojtar që të çajë në një klub të madh europian. E pra, prandaj duhet të ketë bashkëpunim me bashkinë, sepse bashkia ka hequr lekët që mund të shkonin në drejtime të tjera të domosdoshme për të mbajtur ekipet e futbollit. Që të kthehemi tek zgjedhjet, gara e vërtetë s’mund të ndodhë kur sheh Komitetin Ekzekutiv të mbledhur në Gjirokastër tek zgjedhjet rajonale. Ç’punë ka komiteti atje? Këta duhet të kishin dhënë dorëheqjen të gjithë, përfshi presidentin, 3 muaj para, në mënyrë që të hapnin mundësinë e një gare të vërtetë e të paanshme. E kam të vështirë të kuptoj çfarë pune bëjnë këto shoqatat rajonale të futbollit, kush është e mira e tyre përveçse çojnë vota në kutinë e Dukës? Edhe një herë, mua si Kushta më intereson zhvillimi i futbollit. Unë jam kundër ndërhyrjes së politikës në sport, por këtu nuk kuptohet kush po e bën politikën, sepse është e pamundur të mbash larg bashkitë që janë investitori kryesor për të mbajtur futbollin në këmbë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here