Vendimi i qeverisë/ Përcaktohen rregullat e funksionimit të Fondit për Trashëgiminë Kulturore, strukturë “ad hoc” pranë Ministrisë së Kulturës

0
377

Këshilli i Ministrave miratoi projektvendimin “Për përcaktimin e rregullave për administrimin e Fondit Kombëtar të Kujdesit të Trashëgimisë Kulturore Materiale”, ku merr jetë dhe “Bonusi i “Rijetësimit”. Një strukturë ad hoc gjithashtu do të jetë për problematikën dhe funksionimit e Fondit. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se të ardhurat e Fondit për Trashëgiminë janë për mbrojtjen dhe zhvillimin e vlerave të trashëgimisë kulturore në vendin tonë. “Përmes këtij vendimi vëmë në funksionim Fondin e Trashëgimisë të ardhurat e të cilit përdoren për mbështetjen e politikës kombëtare për ruajtjen, mbrojtjen dhe zhvillimin e vlerave të trashëgimisë kulturore materiale”, u shprehej të mërkurën ministrja Margariti. Në një status të saj pas mbledhjes së qeverisë, ministrja Margariti bëri me dije se një nga nismat që merr jetë me këtë fond është dhe “Bonusi i Rijetësimit”. Sipas ministres së Kulturës, “Bonusi i Rijetësimit” ndihmon me restaurimet në qendrat historike. “Deri në miratimin e strukturës përgjegjëse për administrimin e të ardhurave të Fondit, vendosëm krijimin e një strukture ad hoc, që zgjidh problematikën e funksionimit të Fondit. Një nga nismat që merr jetë bashkë me këtë fond është edhe “Bonusi i Rijetësimit”, i cili përmes grantesh ndihmon qytetarët të restaurojnë apo rijetësojnë objektet e tyre në qendrat historike të qyteteve. Po përfundon përgatitja e dokumentacioni përkatës dhe shumë shpejt do të shpallet thirrja publike për aplikime në këtë skemë kombëtare, e para e këtij lloji në vendin tonë”, shkruan Margariti në një status të saj. Fondi Kombëtar për Kujdesin e Trashëgimisë Kulturore, ka ardhur si pjesë e kuadrit ligjor të ri për ligjin për trashëgimitë kulturore dhe muzetë. Vendimi i qeverisë Në vendimin nr. 737, datë 17.9.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa: a) Pika 7 ndryshohet, si vijon: “7. Struktura kryen këto funksione: a) Harton dhe propozon drejtimet kryesore, në përputhje me pikën 3, të këtij vendimi; b) Propozon shpalljen publike të thirrjes, duke përcaktuar procedurat e aplikimit si dhe kriteret e vlerësimit për administrimin e Fondit në bazë të programit e të llojit të financimit; c) Ndjek dhe zbaton procedurat e administrimit të thirrjes për aplikime; ç) Harton dokumentacionin e nevojshëm dhe kontratën e lidhur me përfituesin e projektit; d) Harton raportet financiare dhe administron programin financiar të Fondit, në përputhje me legjislacionin e zbatueshëm. Dh-Harton raportin vjetor për përdorimin e Fondit, në bashkëpunim me drejtorinë përgjegjëse për buxhetin, pranë ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore; e) Monitoron zbatimin e projekteve të financuara nga Fondi; ë) Mbledh të dhëna, harton statistika dhe informacione lidhur me përdorimin e Fondit; f) Kryen dhe detyra të tjera të përcaktuara në udhëzimin e ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, sipas shkronjës “d”, të nenit 264, të ligjit nr. 27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”. Bazuar në vendimin e qeverisë pas pikës 7 shtohet pika 7/1, me këtë përmbajtje: “Deri në miratimin e strukturës përgjegjëse për administrimin e të ardhurave të Fondit, krijohet një strukturë ad hoc për administrimin e Fondit, e cila miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore”. Ngarkohet ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here