Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu ka komentuar shkarkimin e presidenti Ilir Meta nga Kuvendi i Shqipërisë, çështje kjo që tashmë është në Kushtetuese dhe pritet të shqyrtohet në fillim të muajit që vjen. Këtë të premte presidenti Meta shpërtheu në akuza të forta në adresë të trupës së Gjykatës Kushtetuese, ku teksa foli për zgjedhjet vendore të 30 qershorit të vitit 2019, mes të tjerash bëri fajtor anëtarët e këtij institucioni për vendimin që dhanë, duke i certifikuar ato. Por për ish-kryetarin e Kushtetueses Abdiu, kjo deklaratë është e rrezikshme, me qëllim të caktuar, por nuk ka asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore. Meta foli për “hetim disiplinor” ndaj një anëtareje të Gjykatës Kushtetuese, që për konstitucionalistin e njohur, është një skandal i madh. “Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese përgjigjen vetëm përpara Kushtetutës, e për këtë nuk ka asnjë organ që mund të kontrollojë veprimtarinë e tyre”, deklaroi Abdiu në një prononcim telefonik për “TemA”. Më tej zoti Abdiu theksoi se edhe sikur të kishte ndonjë problem ose shqetësim në lidhje me praktikën e institucionit, sipas tij, Ilir Meta nuk mund të prononcohet, ngase është në konflikt të pastër interesi, sepse Kushtetuesja ka në duar një çështje ku kërkohet shkarkimi i kreut të shtetit. “Ato deklarata nuk janë asgjë tjetër veçse shantazh i hapur për dy qëllime. I pari për të justifikuar dhe mbuluar anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, që u rrëzua nga Gjykata. Ndërkaq, qëllimi tjetër është që të shantazhohet në mënyrë të qartë një anëtar i Gjykatës Kushtetuese, për çështjen ku Meta është pjesë, pra për shkarkimin e presidentit. Synohet që nëpërmjet kësaj deklarate të bëjë tërheqjen e një anëtari nga çështja, ç’ka e dëmton rëndë situatën. Pasi sot, Gjykata Kushtetuese ka pak anëtarë sepse nuk është kompletuar e tëra, ndërsa me tërheqjen për një çështje të një anëtari bëhet një trupë gjykuese e cunguar që nuk mund të marrë vendim, ngaqë mund të arrihet shumicë e ngushtë 3 me 4. Gjykata Kushtetuese është sulmuar egërsisht që në kohën e Sulltan Mehmetit”, u shpreh ai. Ndërkohë zoti Abdiu ironizoi edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili e shantazhoi rëndë institucionin që interpreton ligjin themeltar të shtetit në vitet 2001-2005. “Nuk ka asnjë mundësi që të cenohet apo apelohet një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Këto shantazhe të Ilir Metës nuk do të arrijnë asnjë synim, siç nuk kanë arritur ata të para disa viteve nga ana e Sali Berishës”, nënvizoi Abdiu.










































