“Tregtari i Venedikut” nga Shekspiri, regjisori Qëndrim Rijani: Në skenë për arsye të mesazheve, që ka brenda saj

0
221

“Tregtari i Venedikut” vepër e Shekspirit u përcoll me interesin e publikut në skenën teatrore. Me regji nga Qëndrim Rijani, kjo ishte dhe vepra që hapi sezonin artistik të këtij viti që ka nisur në teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë. Megjithëse “Tregtari i Venedikut” ofron disa kënaqësi tradicionale dramatike komike dhe romantike, ajo shfaq gjithashtu pasojat e paragjykimit. Kështu, Shekspiri behet bashkëkohësi ynë. “Tregtari i Venedikut” është një nga komeditë më popullore të Shekspirit, që mendohet të jetë shkruar  mes viteve 1596-1598. Regjisori Qëndrim Rijani thotë se ishte kërkesa e teatrit të Korçës, që të punonte me një vepër të Shekspirit. “Pas rreth 1 viti pune mendova, që vepra e cila ia vlen të punohet është “Tregtari i Venedikut”. Për arsye të mesazheve, që ka brenda saj. Por nga ana tjetër edhe unë besoja, që kjo ishte ndër veprat më të lehta krahasuar me vepra të tjera të Uilliam Shekspirit për ta punuar në këtë moshë dhe me kaq përvojë sa kam”, thotë ai. Vetë teatri më herët shprehej se ishte një vepër për të kaluar një mbrëmje ndryshe. “Të gjithë ju që ende nuk e keni parë keni mundësi të kaloni një mbrëmje ndryshe me emocion dhe kënaqësi!”, shprehej teatri para shfaqjes. Ndërsa të dielën në mbrëmje teatri bënte me dije se për “Tregtarin e Venedikut” ishte një interesim i madh i artdashësve. “Edhe sot në mbrëmjen e katërt të shfaqjes salla e teatrit është plot”, shprehej institucioni.

Aktorët në role

Në role janë aktorët Sotiraq Bratko, Adem Karaga, Dasara Xhangolli, Roerd Toçe, Lola Meta, Silvio Goskova, Paola Kodra, Blera Belliu, Ilda Pepi, Franc Bregu, Katerina Fili, Panajot Qorri dhe Sazan Rushitti. Kompozitor Adhurim Grezda, skenograf Beqo Nanaj, kostmugrafe Olta Bello dhe video projeksion Pirro Gjata. Vepra është përkthyer nga Skënder Luarasi. Varianti i veprës, që solli në skenë regjisori Qëndrim Rijani premierë më 8 janar është një tentativë serioze për të sjellë një variant skenik modest të veprës madhështore të autorit. Sipas tij, linja bazë dhe dialogu në vepër nuk është tentuar asesi të tjetërsohet. “Ndërhyrjet  konsistojnë në koncentrimin e veprës në “kohë””, shprehet regjisori në tekstin rreth shfaqjes. Vepra flet për Basani një djalosh i ri fisnik, ka dëshirë të bëhet mëtues i trashëgimtares së bukur dhe të pasur Porcia të Belmontit. Pasi e ka prishur gjithë pasuritë e tij, Basani i kërkon Antonit, tregtar i pasur i Venedikut dhe person bujar, i cili e ka nxjerrë edhe më përpara disa herë nga borxhet, tre mijë dukate që i duheshin për të mbuluar të gjitha shpenzimet e tij si mëtues. Antoni pranon, por meqenëse nuk ka para për shkak se anijet e tij janë në det, ai i premton të bëhet dorëzanës i një kredie nëse Basani arrin të gjejë një huajtës. Kështu Basani i drejtohet huadhënësit hebre, Shajlokut, duke caktuar Antonin si dorëzanës të kredisë. Shajloku, i cili e urren Antonin për shkak të antijudaizmit dhe të zakonit për të mos dhënë hua me fajde, ngurron shumë, duke treguar për abuzimin që ka pësuar nga dora e Antonit, por në fund pranon t’i japë hua Antonit shumën pa asnjë interes, me kusht që nëse Antoni nuk ia kthen dot shumën në datën e caktuar, ai mund të marrë një funt mish nga trupi i Antonit. Në Venedik raportohet se anijet e Antonit kanë humbur në det. Për shkak të kësaj ai nuk arrin ta shlyejë huanë. Pjesa arrin pikën kulminante në sallën e gjyqit të Dukës së Venedikut.  

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here