Aktivistja Evi Kokalari dje ka braktisur ish-kryeministrin Berisha. Prej disa muajsh ajo ishte krah tij, por dje lajmëroi se po tërhiqet nga aktivitetet në Tiranë. Por pse erdhi ky vendim i befasishëm në kohën kur Berishës i duhet më shumë mbështetje? Gazeta ka mësuar se shkak mund të kenë qenë masat që mund të merreshin ndaj saj. Sipas ligjit amerikan të gjithë shtetasit amerikanë që bashkëpunojnë me personat “non grata” rrezikojnë të procedohen penalisht. Gazeta ka siguruar një raport, ku përcaktohen masat ndaj shtetasve amerikane që mbështesin organizatat dhe personat e shpallur të padëshiruar nga SHBA. Sipas këtij përcaktimi nëse ka transaksione dhe mbështetje të një personi “non grata” apo të një organizate të shpallur kriminale nga SHBA, kjo quhet vepër penale. “Disa nga pasojat ligjore mund të përfshijnë: Konsiderimin krim të sigurimit me vetëdije të mbështetjes materiale për një organizatë të shpallur publikisht të padëshiruar; Konsiderimin si krim kur me vetëdije ka transaksione ose marrëveshje me një person “non grata” ose organizatë “non grata””, thuhet në raport. Po ashtu krim do të quhet nëse ofrohet mbështetje materiale për personat e padëshiruar. Ky përcaktim duket se u jep një goditje të fortë të gjithë shqiptaro-amerikanëve që i kanë dal në mbështetje ish-kryeministrit Sali Berisha. Emra si Evi Kokalari dhe shumë shqiptaro-amerikanë e kanë mbështetur lëvizjen e tij, por në përcaktimin e siguruar nga gazeta, të gjithë rrezikojnë të procedohen për mbështetje të një personi “non grata”.
Largohet Evi Kokalari
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Kokalari lajmëroi dje se nuk do jetë më në krah të Berishës. Ajo e ka bërë të qartë se nuk do jetë më shumë aktive duke vulosur divorcin me Berishën. “Kam vendosur të distancohem pak nga politika në Shqipëri. Megjithëse me mëndje dhe zemër jam aty ku vazhdon lufta për një opozitë të fortë, dua t’i kthehem jetës time në Amerikë që kam që në Shtator që e kam lënë komplet mbas dore. Do vazhdoj të jem në komunikim të vazhdueshëm me anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, gjithsesi jo më aq aktive sa më parë. Me gjithë sulmet e katër muajve të fundit, një gjë është e padiskutueshme – miqësitë që kam krijuar në Tiranë vërtet më kanë ngrohur zemrën, dhe jo vetëm, mbështetjen që kam marrë nga njerëzit që kam takuar çdo ditë në rrugët e Tiranës dhe gjatë foltoreve, vërtet i kanë dhënë kuptim sakrificës së muajve të fundit. Bashkëatdhetarëve të mi në Diasporë; dua t’ju them që populli ynë është i varfër, kështu që angazhohuni seriozisht se kanë vërtet nevojë për ndihmë. Lërini mërite dhe urrejtjen e së kaluarës dhe mbështesni ata që po luftojnë për ditë për të shpëtuar pluralizmin. Ndërkohë do vazhdoj të komunikoj opinionet e mia nëpërmjet medias sociale”, ka shkruar ajo në një status në rrjetet sociale. Sinjalet janë se të gjithë mbështetësit e ish-kryeministrit nga SHBA mund të penalizohen nga shteti amerikan.









































