Zbardhen të tjera detaje nga dosjet hetimore që ka në dorë Prokuroria e Posaçme. Gazeta deklaroi një ditë më parë se janë rreth 40 dosje të reja për abuzime me tenderat, ndërsa mësohet se vetëm gjatë vitit 2021 janë regjistruar 81 procedime për veprat penale të korrupsionit. Të dhënat janë siguruar nga gazeta në mënyrë zyrtare nga SPAK. Sipas informacioneve, bëhet fjalë për një sërë dosjesh të rëndësishme, ku përfshihen ministra, ish-ministra, deputetë, zv/ministra, krerë bashkish dhe funksionarë të tjerë shumë të lartë. Ndërkohë sipas informacioneve të gazetës, gjatë 2 viteve të fundit që funksionon SPAK, ka pasur 891 procedime penale, ku janë dërguar 432 të pandehur për gjykim. Po ashtu janë sekuestruar 75 milionë euro pasuri kriminale.
Dosjet e bujshme që ka në dorë SPAK
Gazeta po tregon sot disa prej emrave aktualë me dosje në këtë organ, si dhe disa ish-zyrtarët të hetuar më parë, por që ndaj tyre janë pushuar hetimet. Mes emrave me dosje në prokurori është presidenti Ilir Meta. Padia është bërë nga juristi Romeo Kara, i cili ka dorëzuar një kallëzim për marrëveshjen CEZ-DIA. Juristi Kara në padinë që ka bërë në Prokurori, ka dorëzuar 300 faqe me informacion, ndërsa ka bërë një renditje të argumenteve të tij se përse kemi vepër penale. Janë rreth 30 argumente, ku implikojnë Metën, Berishën dhe qeverinë e asaj kohe. Një tjetër emër i njohur me dosje në prokuroi është ish-kryeministri Berisha. Përveç padisë për aferën CEZ-DIA, një dosje e fortë është dhe ajo e privatizimit të Kompleksit Partizani, ku Berisha është paditur bashkë me dhëndrin e tij dhe ish-ministrin Arben Imami. Momentalisht në SPAK janë disa kryetarë bashkie të paditur penalisht. Një dosje voluminoze është ajo e inceneratorëve. U arrestua ish-ministri Lefter Koka, pro priten dhe shumë arrestime të tjera. Një dosje e fortë është ajo e shembjes së teatrit ku janë paditur ministrja e Kulturës, kryebashkiaku i Tiranës, ish-ministri i Brendshëm. Dosje të tjera të forta janë ato të hetimit për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të ngelur në veting. Një padi e fortë është dhe ajo e koncesioneve të dhëna në shëndetësi gjatë kohës që ministër ishte Ilir Beqaj. Pra bëhet fjalë për shumë çështje me rëndësi, zbardhja e të cilave sigurisht do trazonte politikën.
Paralajmërimi i Krajës
Pak kohë më parë kreu i SPAK, Arben Kraja deklaroi se prokuroria ka në dorë shumë dosje të bujshme dhe aty ku ka vepër penale askush nuk do të tolerohet. “Këto janë të gjitha rastet që janë nën hetim, janë procedime penale. Prokurorët janë duke kryer veprime, kërkojnë kohën e duhur. Keni parasysh që bëhet fjalë, ku vendimmarrja ka përfshirë shumë faktorë, ka përfshirë shumë procedura që duhet vlerësuar, duhet verifikuar dhe duhet vendosur pastaj nëse ka pasur apo jo shkelje ligjore. P.sh, unë nuk mund të them konkretisht për asgjë, për asnjërën prej tyre, nëse është apo nuk është “çelësi” i suksesit, por ajo që unë iu garantoj është që të gjithë prokurorët janë shumë seriozë, me atë që kanë në këtë rast për ti sqaruar deri në fund se çfarë ka ndodhur dhe pastaj për të vendosur në lidhje nëse ka apo jo përgjegjësi penale kushdo që të jetë”, tha kreu i SPAK pak ditë më parë.










































