Drejtoria e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, ka paditur penalisht ish-deputetin Myslim Murrizi pasi dyshohet se ka fshehur pasurinë dhe është përfshirë në pastrim parash. Drejtoria e Krimit Ekonomik i ka kërkuar Prokurorisë së Tiranës, që të regjistrojë procedimin penal ndaj Myslim Murrizit, të dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Fshehje e të ardhurave”, dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”. Koha e transaksioneve që policia ka verifikuar si të pajustifikuara daton prej vitit 2010 e në vijim. Bëhet fjalë për një shumë prej 60 mijë eurosh, gjatë kohës kur ishte deputet që Murrizi nuk i deklaroi përmes firmës së tij “Murrizi 2009”. Në materialin policor, thuhet se ish-deputeti Murrizi, ka përdorur transaksione të dyshimta nga kompania Justiniani tek kompania “Murrizi 2009”. Në qershor 2007- shtator 2008, sipas referimit të policisë rezulton se janë depozituar apo transferuar nga një llogari tjetër e Myslim Murrizit brenda bankës, në një nga bankat e nivelit të dytë në total 249 751 euro, të cilat 248 mijë e 710 janë mbajtur cash nga ana e Murrizit. Ish- deputeti Myslim Murrizi rezulton të jetë aksioner në disa shoqëri, përfshirë edhe shoqëri mediatike dhe universitare si dhe shoqëri ndërtimi.
Murrizi reagon pas kallëzimit në Prokurori
Ndërkohë, ish-deputeti Myslim Murrizi ka reaguar për gazetën lidhur me çështjen e procedimit për fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash. Ai u shpreh, se nuk është policia ajo që procedon, por prokuroria. Ai tha, se nuk e di nga është marr indicia.“E para nuk procedon policia, por është Prokuroria organi i procedurës ai që bënë hetimin, ndjek hetimin dhe çon çështje në gjyq ose me indicie, ose ndonjë kallëzim. Nuk e di nga është nisur, kush ka qenë indicia dhe se çfarë shkaku ka pasur policia kriminale në këtë veprim, në këtë varg krimesh, ku droga vjen me kontenier me banane, vrasjet në mes të Tiranës, skandali i Call Centrave që paskan pas kaq nge që të merren me një veprim bankar të firmës Murrizi para 15 vitesh, ku Myslim Murrizi është aksioner, por nuk është administrator dhe nuk kam qenë subjekt i deklarimit të pasurisë. Unë vjet kam kaluar edhe kontrollin e thelluar dhe është ILDKPKI që merret me pasurinë e zyrtarëve të zgjedhur”, tha ai. Ndër të tjera, Murrizi u shpreh se pasuria e tij është legale. Ai ftoj SPAK që të hetojë çdo pasuri të tijën. “E gjithë pasuria ime është legale dhe unë nuk trembem nga intrigat e një grushti kundrinash që kanë kapur policinë. Prokurorinë e Tiranës dhe SPAK i ftoj që të hetojnë të gjithë origjinën time të pasurisë çfarë kamë deklaruar dhe regjistruar dhe të hetojnë edhe përtej kufijve”, tha ai. Më tej ai ngriti dyshime se përmes të tilla manovrash po i bëhen presione. “Do ti ftoja të kishin këtë zell për pasurinë e Gjiknurit, Ahmetajt, Ramës, të Bashës, kunatit, të atyre që kanë qenë në pushtet. Gjithësesi drejtësia të bëjë punën e saj por nuk ka fundërrinë ne karrigen e shtetit që mund ti bëjë presion Myslim Murrizit”, tha ai.









































