Prokuroria dyshon se databaza e pagave ka dalë në publik nga të njëjtët persona që nxorën listën e patronazhistëve. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ishte një nga institucionet e dyshuara kryesore për skandalin e publikimit të listë pagesave të qytetarëve punonjës të administratës publike apo bizneseve private në vend. Dyshohet se punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit kanë pasur akses në sistem dhe mund të kenë kopjuar dhe shpërndarë databazën e pagave. Prokuroria ka dyshime të forta se të njëjtët që shpërndarë në mënyrë të paautorizuar listë pagesat e qytetarëve, më herët nxorën edhe databazën me të dhënat e qytetarëve të kryeqytetit ose siç quhet ndryshe lista e patronazhistëve që kishte të bënte me preferencën politike të votuesit. Nëse analizojmë me kujdes publikimin e listës së dytë me pagat e mbi 694 shqiptarëve të muajit prill 2021, rezultoi se ajo ishte shoqëruar me një faqe tjetër të të njëjtit dokument ku ishin numra celulari personale të 900 mijë qytetarëve shqiptarë që u bë publikë në muaj prilli çka shton edhe më shumë dyshimet mbi skandalin e patronazhistëve.
Identifikohet një person
Prokuroria ka kontrolluar kompjuterat e të gjithë inspektorëve të Tatimeve dhe institucioneve që kanë pasur akses në sistem dhe ka rezultuar se në kompjuterin e një specialisti IT të Tatimeve është gjetur databaza e cila është shpërndarë. Personi është identifikuar si A.A, i cili është punësuar fillimisht në vitin 2013 me kontratë provizore dhe më pas ka hyrë me kontratë të plotë. Më pas ai ka kaluar në varësi të AKSHI-t, pasi sipas një vendimi të qeverisë të gjithë IT në institucione janë në varësi të saj. Në kompjuterin e tij janë gjetur gjurmë të databazës e cila dyshohet të jetë shpërndarë te persona të tjera. Po hetohet nëse është vërtet ai personi dhe përse e ka bërë një veprim të tillë.
Ja sesi nisi skandali i publikimit të pagave
Kujtojmë se në dhjetor u publikua një listë me të dhënat e qytetarëve duke nisur nga emri, mbiemri, emri i plotë, nipti i subjektit, subjekti, profesioni dhe orari i punës. Lista e pagave, një dokument në formatin “Excel” qarkulloi në rrjet duke përbërë një shkelje flagrante të dhënave personale të qytetarëve. Prokuroria e Tiranës nisi hetimet ndaj Drejtorisë së Tatimeve dhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore nga ku dyshohej se mund të kishte dalë informacioni. Lista e parë e publikuar i përkiste muajit janar ndërsa e dyta muajit prill 2021. Lidhur me këtë skandal reagoi edhe qeveria ku shprehej se ky informacion nuk kishte dalë nga Ministria e Ekonomisë pasi lista e publikuar nuk kishte të njëjtën paraqitje me dokumentin zyrtar që disponon ministria. Kujtojmë se Drejtori i Sistemit Informatik të Tatimeve dha dorëheqjen tre ditë pas rrjedhjes së të dhënave duke u vendosur në dispozicion të hetimeve. Ndërkohë pas procedimit penal për “Ndërhyrje në sistemet kompjuterike” dhe për “Shpërdorim Detyre”, Prokuroria e Tiranës mori në pyetje edhe 14 ekspertë të IT në institucionet: Drejtoria e Tatimeve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Po ashtu organi i akuzës po kryen ekspertim edhe tek kompjuterët e specialistëve të Tatimeve dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Prokuroria ka vendosur sekuestro mbi serverët e tre institucioneve nga dyshohet se ka patur rrjedhje të dhënave. Gjithashtu është ngritur edhe një grup hetimor për të kryer hetimet përkatëse në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit po ashtu edhe në Drejtorinë e Tatimeve.









































