Procesi i kompensimit të pronave në Shqipëri duket se është futur në qorrsokak. Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin e qeverisë dhe ndryshimi i draftit ka mbetur i bllokuar. Në një intervistë për gazetën “SOT”, kreu i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myrshit Vorpsi ka shpjeguar situatën në të cilën ndodhte aktualisht procesi i kompensimit të pronave në Shqipëri. Sipas tij po shkohet drejt ndërtimit të një ligji të ri teksa ka treguar edhe hilet se çfarë fshihet pas kompensimeve të pronave për ndërtimet informale. Ndërkohë nuk kanë munguar as kritikat ndaj qeverisë për zvarritjen e procesit dhe mos zgjidhjen e problematikave që ky proces ka pasur.
-Zoti Vorpsi, Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin e pronave të vitit 2015 që në shkurt të vitit aktual dhe pas gati një viti, nuk ka asnjë lëvizje për ndryshime ligjore. Mund të na thoni çfarë po ndodh dhe ku çalon problemi?
Detyrimi sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ishte që brenda datës 11 shtator të 2021 duhet të bënte rregullimet e nevojshme në ligjin 133 të 2015 me objekt rregullimin e atyre problematikave që kishte gjetur gjykata në vendimin e saj. Ligjvënësi shqiptar megjithëse kanë kaluar nga 11 shtatori gati 4-5 muaj, akoma nuk ka paraqitur një draft për këto rregullime ligjore që përcaktonte si vendimi i Gjykatës së Strasburgut ashtu edhe vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese. Këto rregullime ndoshta në mënyrë të drejtpërdrejt lidheshin me ato 10 mijë dosje ose shumë më tepër se aq të cilave për hir të ligjit 133, qeveria e kishte vlerësuar kompensimin si toka bujqësore, pra i kishte nxjerrë pronarët e këtyre dosjeve ose me emërtim të ezauruar, pra s’kishin për të marrë asnjë kompensim ose një vlerësim që në kuadër të vendimit të Këshillit të Ministrave 665, do të publikoheshin vlerësime me vlera negative. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që ishte një vendim i mbartur edhe nga vendimmarrja e Strasburgut duhet që ligjvënësi shqiptar të rishikonte edhe njëherë vlerësimet e këtyre sepse sipas orientimit të Gjykatës së Strasburgut, pronarët e këtyre pasurive duhet të merrnin diçka dhe ajo që duhet të merrnin ishte jo më pak se 10% e vlerës aktuale që prona e tyre ka sot. Patjetër që kjo do të sillte një përmbysje të atij vlerësimi që i kishte bërë Agjencia e Trajtimit të Pronës sepse detyrimi që shteti shqiptar do të bënte, do të kishte rregulluar sipas këtij vlerësimi, patjetër që nuk do të ishte më ajo shifër që kishte programuar ligjvënësi shqiptar.
-Ku qëndron konkretisht problematika?
Ligjvënësi kishte përcaktuar një vlerësim në ligjin 133 financiar rreth 5.3 miliardë lekë për kompensimin e pronarëve për një periudhë 10 vjeçare, e cila po të ndahej në mënyrë proporcionale, do të kishte një shumë parash prej rreth 5 miliardë lekësh. Por kjo do të ndodhte në kuadrin e një procesi kompensimi normal të gjithë pronarëve, i cili nuk ka ndodhur. Kjo sepse qeveria asnjëherë nuk ishte e gatshme të merrte përsipër kompensimin e çdo pronari për çdo vendim të marrë. Në rregullimet që i bëri me VKM-në 766 të 2017, në zbatim të ligjit 133, pronarët që kishin më tepër se një pronë për kompensim, sipas VKM-së duhet tu mblidhte një shumë për ato prona që ishin për kompensim dhe mbi atë do të zbatohej. Në fakt kjo ishte një vjedhje e hapur që qeveria i bëri pronarëve. Për më tepër, sipas VKM-së atëherë do të bëhej vlerësimi me minuse, i binte që ndoshta për një pronë që vlerësohet me minus negativisht nuk merrnin asnjë kompensim, asnjë pronar që mund të kishte pasur më shumë se një pronë për kompensim. Ky ishte efekti i vendimit të Këshillit të Ministrave që kishte një qëllim të vetëm, që të ulte sa më tepër që të ishte e mundur detyrimin që shteti kishte kundrejt pronarëve në kuadër të ligjit për kompensimin e pronave.
-Çfarë risish sillte ligji, pasi qeveria e cilëson atë si më të mirin lidhur me kompensimin e pronave?
Qeveria sipas po atij vendimi të Këshillit të Ministrave, kompensimin normal të pronarëve nuk do ta bënte, por ishte përcaktuar që 30% e fondit vjetor që do të shërbente për kompensimin e pronarëve, të përdorej për kompensimin e atyre pronarëve që paraqesin kërkesë për kompensim të përshpejtuar. Pra në qoftë se pronarët hiqnin dorë nga pjesa tjetër e kompensimit dhe kërkonin të merrnin 20% të detyrimit që shteti kishte kundrejt tyre, ata mund ta merrnin kompensimin. Pra merrnin 20% të kompensimit dhe hiqnin dorë nga 80%. Po ashtu ishte dhe rasti i atyre që kishin një periudhë 4 vjeçare të cilët merrnin 40% të vlerës duke hequr dorë nga 60%. Por këtë 40% do ta merrnin me këste të barabarta deri kur të mbaronte afati ligjor për kompensimin e pronarëve që sipas ligjit 133 do të ishte viti 2025. Pronarët nuk e pranuan këtë formë dhe sot jemi në këtë gjendje që flasim. Fondet kanë qenë aty, por duhet thënë se janë përdorur për diçka tjetër nga qeveria. Janë përdorur për kompensimin e pronarëve për efekt të ligjit të legalizimit. Kjo ishte arsyeja se pse me ligj të veçantë parlamenti shqiptar kërkonte dhe përcaktoi që kompensimi i pronarëve që do shpronësoheshin për efekt të legalizimit, që tokat e tyre ishin zënë për efekt të ndërtimeve pa leje, do të bëhej nga Agjencia e Trajtimit të Pronës dhe jo nga Agjencia që ishte e Aluizmit. Pra kompensimin e pronareve për efekt të ligjit të legalizimeve, ligjvënësi shqiptar ia la Agjencisë së Trajtimit të Pronës në mënyrë që të kishte mundësi që të përdorte fondet e kompensimit të pronareve sipas ligjit 133 për kompensimin e atyre pronarëve që do shpronësoheshin për ligjin e legalizimeve. Kjo për arsye sepse skema e kompensimit që propozonte ligji i legalizimeve ishte një skemë katastrofike për shtetin. Kjo për një arsye të thjeshtë fare, se shteti shqiptar merrte përsipër që të vlerësonte ose ti kërkonte atyre që kishin zënë tokat e pronarëve në kuadër të ligjit të legalizimeve çmime preferenciale që mund të ishin në nivelin e 10% der në 20% të shumës me të cilën ligjvënësi do të kompensonte pronarët. Çmimet që përdorte shteti shqiptar dhe ligjvënësi në harkun e gjithë këtyre viteve për ato që kishin “pushtuar” tokat e pronarëve ishin çmime preferenciale që luhateshin maksimumi në nivelin e 20 mijë lekëve për metër katror. Ndërkohë që me përdorimin e letrave me vlerë që mund të përdoreshin deri në 80% të kësaj shume, duket qartë që vlera që do paguanin ato do ishte shumë më e ulët. Por nga ana tjetër në kundërshtim me ligjin, sepse ligji përcaktonte që të ardhurat që do të fitohen nga procesi i legalizimit do të shërbejnë për kompensimin e pronarëve për efekte të legalizimit, kishte një disbalancë.
-Po por, ATP disa muaj më parë ka vijuar me procesin e kompensimeve për tokat e zëna nga ndërtime informale.
E vërteta është se sot shteti shqiptar është në një gjendje kolapsi sepse nuk ka para që të kompensojë ato pronarë që janë prekur nga ndërtimet pa leje. Ndërkohë që fushata e legalizimeve ca kohë ka qenë një kalë beteje në fushata elektorale dhe vijon e sot e kësaj dite. Pra ndodhur në këtë gjendje, shteti nga 2016 e deri në 2021, ka bërë kompensimin e pronarëve për arsye të legalizimit duke marrë para që duhen dhënë dhe vënë në dispozicion për kompensimin e pronarëve për efekt të ligjit 133 të 2015. Jemi në një situatë paradoksale e cila bëhet evidente po të marrim parasysh edhe një element tjetër që ka ligji për legalizimet që ka të bëjë me problemin e fondeve që duhet të gjejë shteti. Sipas ligjit të legalizimeve, shteti nuk ka asnjë afat kohor si detyrim brenda atë cilit duhet të bëjë kompensimin e pronarëve shqiptarë që shpronësohen për efekt të legalizimit. Nëse merremi me variantin e parë të ligjit të legalizimeve të 2006, qeveria duhej që brenda gjashtë muajve brenda datës së vendimit të këshillit të ministrave të kompensonte pronarët shqiptarë, ligjvënësi në atë kohë PD e ndryshoi këtë dhe përcaktoi që nuk kishte një afat kohor si detyrim se kur shteti shqiptar duhet të kompensonte pronarët pas daljes së vendimit. Sot që flasim nuk ka një afat kohor se kur shteti shqiptar duhet t’i kompensojë pronarët. Në një mënyrë të pakuptimtë, agjencia e trajtimit të pronës mban vetëm 70% të shumës dhe kjo është një traditë nga qeveria e PD e deri më sot. Realiteti është ky që pronarët që kanë marrë 70% të vlerës në 2006 atëherë kur nisi kompensimin për herë të parë, akoma e sot nuk kanë marrë 30% tjetër. Qeveria nuk ndihet sepse i intereson një situatë e tillë ku ligjërisht asnjë nuk e vendos dot para përgjegjësisë sepse thotë me ligj unë nuk kam një afat kohor se kur do ti ndaj paratë e këtyre. Nga një anë zvarritet, nga një anë për 5 vjet me radhë përdori paratë që do ishin për kompensimin e pronarëve për efekt të ligjit 133. Atë fond nuk e përdori për këtë punë falë edhe vendimit 766 që ishte i 2017, po paratë i mori dhe i përdori për efekt të legalizimit. Jemi në një situatë e cila çdo ditë e më shumë merr karakterin e një luftë të pronarëve me shtetin se kur do të realizojë shteti kompensimet.
-Kur janë gjitha këto problem, pse nuk po amendohet ligji?
Vërtetë janë hasur problematika të shumta, por shteti nuk është i përgatitur për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore tani. Sepse do të duhej që për çdo shumë të papaguar çdo vit, duhet të rimbursohet ajo shumë me normën e interesit që është për efekt të inflacionit. Vlerat dhe detyrimet që shteti shqiptar ka kundrejt pronarëve duhet të rritet por qeveria nuk do t’ia dijë për këtë punë. Qeverisë kështu i intereson për mandatin e saj 4 vjeçar, të vazhdojë rrugën e saj pastaj pasardhësit t’i ngelet në dorë si çështje. Mendoj se pas Vitit të Ri ndoshta edhe kur të stabilizohet situata politike, qeveria ndoshta do t’i kalojë ndryshimet ligjore në Parlament që pastaj të nisin punët dhe komisionet. Por jemi përballë një fabule, nëse do të kemi një ligj të ri apo do të kemi amendime ligjore. Besoj se do të jemi në kuadrin e një ligji të ri.
Intervistoi: Aleksandra HOXHAJ