Google search engine
Home Aktualitet Estrada profesioniste e Vlorës me shfaqjen “Humor i vaksinuar”, Afrim Agalliu: Trajtojmë...

Estrada profesioniste e Vlorës me shfaqjen “Humor i vaksinuar”, Afrim Agalliu: Trajtojmë problemet e situatës pandemike

0
238

“Humor i vaksinuar” shfaqja më e re e Estradës profesioniste të Vlorës shënoi premierën, në skenën e teatrit “Petro Marko”. Me regji nga Afrim Agalliu, një shfaqje e suksesshme që u përcoll me vlerësime nga publiku. “Humor i vaksinuar” erdhi në formën e një teatri muzikor, me libret të Afrim Agalliut, Genc Demirajt dhe Agron Hamos. Me vend veprimi në sheshin ndërmjet disa pallateve të banimit e ku protagonistë janë vetë artistët banorë. Të gjithë bashkë janë personazhet e shfaqjes, me profesionet, me problemet, etj, që vjen me situata të ndryshme plot humor. Me ide dhe regji nga Afrim Agalliu “Mjeshtër i Madh”, ai tregon se në kushtet që kemi kaluar me pandeminë, lindi dhe ideja për këtë shfaqje. “Në shfaqje trajtojmë problemet e situatës pandemike, që po vjen gati viti i dytë. Më parë ne u mbyllëm të gjithë edhe institucionet. Në këto kushte më lindi ideja që të bëja një shfaqje për situatën pandemike, bashkë me Agron Hamon dhe Genc Demiraj që dhe ata kanë shkruar brenda kësaj ideje materiale. Shfaqja është e perceptuar si një muzikal, një teatër i kënduar dhe situata në të cilën ndodhemi është në karantinë”, shprehet regjisori, i cili dhe vetë interpreton. Regjisori Afrim Agalliu pohon se është premiera e parë e estradës së Vlorës pas gati dy vitesh. Ai thotë se dëshira e tyre është që kjo shfaqje të vijojë gjatë. “Shfaqjen e fundit e kemi dhënë gati para 2 vitesh. Publiku e ka pëlqyer shfaqjen. Është ftohtë, por brenda salla është me kondicionim. Të vijnë ta shohin se ne do të vazhdojmë deri në fundit të vitit gjatë ditëve në vijim. Por dhe nga fillimi i vitit që vjen do ta japim sërish në fundjavë”, tregon ai për këtë shfaqje, që shënoi premierën më datë 17 për të vijuar dhe më 18 dhe 19 dhjetor.

Personazhet në shfaqje

Kohë izolimi kaluam, kohë pandemie jetojmë, por në këtë shfaqje të suksesshme të Estradës së Vlorës publiku mund të shijojë dhe lojën e bukur të aktorëve. Në një material të shfaqjes regjisori dhe aktori Afrim Agalliu tregon se u arrit që të ishte dhe aktori i njohur i humorit Mane Lumani “Mjeshtër i Madh”. “U rikthye dhe Mane Lumani” thotë ai. Në një bllok pallatesh është një bar kafe “Selo”, ku personazhi luhet nga aktori i njohur Agron Hamo “Mjeshtër i Madh” dhe roli i kasapit Dasho luhet nga Afrim Agalliu, dy personazhe që janë gjatë gjithë kohës në skenë. Këtu kemi dhe një qendër shëndetësore me një doktoreshë. Banorët e pallatit, që Selo ua nis kafet dhe me ashensor. Një personazh tjetër në shfaqje është një e moshuar që vjen pi kafen aty, por kemi dhe një gazetar në rolin e moderatorit, një personazh që është kundra vaksinës, etj. Si regjisor Afrim Agalliu thotë se e gjithë ngjarja zhvillohet brenda një blloku pallatesh. “Janë probleme sociale dhe gjejmë mënyrën për ti trajtuar e për ti sjellë para spektatorit”, thotë ai. Një personazh interesant sipas Agalliut është dhe një çoban, por janë dhe disa të moshuara se si e shikojnë sot marrëdhëniet me nuset. Regjisori thotë se është një kuplet i jashtëzakonshëm. “Ne kemi në shfaqje 7 materiale parodike të kënduara. Kupleti këndohet nga 4-të moshuara që janë 80 deri në 83 vjeçe”, thotë regjisori Agalliu që ka shkruar pjesën më të madhe të materialeve. As.regjisor Genc Demiraj, drejtues muzike Artur Dhamo, skenograf Drini Shehu, koreografe Anxhela Kapllani. Në këtë shfaqje këngëtarët janë dhe aktorë, ku marrin pjesë Viktor Tahiraj, Ludmilla Baballëku, Drini Kanani dhe Rovena Ibrahimi. Në shfaqje janë dhe Matilda Avduli, Evjoland Kasaj, Albano Kamberaj dhe Gentian Kallciu.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here