Në një kohë kur klubet më të mëdha të Europës kërkojnë për të realizuar ndonjë afrim të rëndësishëm në sesionin dimëror të merkatos, është edhe një klub që i duhet të bëjë krejt të kundërtën, të shesë. Bëhet fjalë për PSG, protagoniste absolute e merkatos së verës së kaluar ku shtoi radhët me lojtarë si Donaruma, Hakimi, Serxhio Ramos, Vijnaldum, Mesi e të tjerë. Sipas të përditshmes franceze “L’Equipe”, ka qenë vetë trajneri Mauricio Poçetino, që i ka kërkuar klubit të shesë disa lojtarë për të lehtësuar organikën, që aktualisht përbehet nga plot 33 futbollistë. Motivi ka të bëjë me vështirësinë e madhe që ofron për një trajner obligimi që të punojë si duhet me një grup kaq të madh. Drejtuesit e klubit sipas burimeve të gazetës në fjalë, janë të lumtur të kënaqin trajnerin dhe njëkohësisht të ulin dhe shumën e pagave. Janë plot 7 lojtarët që janë gati të nisen, dhe në këtë listë bëjnë pjesë edhe Mauro Ikardi dhe Rafinja, dikur protagonistë te Interi. Bashke me ta, me valixhet gati janë edhe Abdou Duiallo, Lajvin Kurzava, Cilin Danja, Erik Junior Dina-Ebimbe dhe Serxhio Trigo, që janë të destinuar për tu larguar në dimër. Ndërkohë, Mesi ka nisur të rrisë rendimentin e tij në radhët e Paris San Zhermen, shprehur me golat e tij dhe asistent si në kampionatin francez, ashtu dhe në Ligën e Kampioneve (herën e fundit shënoi 2 gola në fitoren 4-1 ndaj Klub Bruzhit). Di Maria ka treguar se si lojtarët e Paris San Zhermen po bëjnë gjithçka që duhet për të ndihmuar Lionel Mesin të përshtatet me mjedisin e tij të ri, pas lëvizjes së tij PSG verën e kaluar. Argjentinasi që së fundmi e fitoi Topin e shtatë të Artë, e nisi ngadalë aventurën e tij te PSG dhe nuk regjistroi gol në Ligue 1 deri më 20 nëntor ndaj Nantes. Por, Di Maria është optimist që Mesi gradualisht po integrohet në ekip. “Mendoj se në ndeshjen e fundit ndaj Klub Bruzh ne treguam se po bëjmë mire. Është normale që ka shumë pritshmëri me ardhjen e Mesit. Mendoj se njerëzit gjithmonë presin në fitore 4:0 apo 5:0. Futbolli nuk është ashtu”, deklaroi Di Maria për ESPN. “Ne e shohim atë të lumtur me familjen. Fëmijët e tij janë në shkollë. Çdokush është këtu për t’ia bërë jetën më të lehtë. Por kur vjen puna te futbolli, gjithçka po bëhet pak nga pak. Është një ndryshim i madh për të dhe ai duhet të përshtatet me lojtarët e rinj dhe një mënyrë të re të lojës në PSG, të cilët luajnë shpejt në sulm. Ne përpiqemi t’i balancojmë të gjitha këto pak dhe ai gjithashtu sigurohet që të përshtatet me ne dhe anasjelltas”, përfundoi Di Maria.









































