Trajneri veteran italian i ka kujtuar sulmuesit të PSG-së ëndrrën e tij të kahershme për të veshur bluzën e “Los Blancos”
Reali i Madridit ka ambicie të marrë Kilian Mbape në gjirin e tij dhe e dëshiron këtë lëvizje sa më parë të mundet. Si duket, është presidenca e klubit që e lakmon këtë lëvizje, por që mbështetet fort edhe nga stafi teknik. Kështu, trajneri Karlo Ançeloti ka dërguar një tjetër mesazh për Kilian Mbapenë. Sulmuesi i PSG-së, në librin e tij vizatimor, që ka dal tashmë në shitje, ka shkruar se si fëmijë ka ëndërruar që ta veshë fanellën e Realit dhe dëshirën për të luajtur në “Santiago Bernabeu”. Lidhur me këtë në konferencë për media para ndeshjes me Real Sociedad në La Liga u pyet trajneri i Real Madridit, Karlo Ançeloti. “Mbape tha se që në fëmijëri ka dashur të luajë për Real Madridin. Kjo është ëndrra e një fëmije? Fëmijët duhet t’i ndjekin ëndrrat që kanë. Unë kisha ëndërruar që një ditë të luaja në Serie A dhe e realizova”, u shpreh Ançeloti. Ndërkohë, gjatë prezantimit të librit të tij vizatimor dje pasdite në Paris, Kilian Mbape foli për episode nga e kaluara e tij. Ai tregoi për ditët që kaloi në Madrid, po ashtu edhe për kohën me Zinedine Zidane, për të cilin ka një admirim të madh. “Unë isha 14 vjeç kur Zidane më ftoi në Madrid. Për një fëmijë të asaj moshe, është një ëndërr, diçka fantastike. Zidane ishte dhe vazhdon të jetë idhulli i një rinie të tërë, i një vendi të tërë. Kur ai të vlerëson kështu, në moshën 14-vjeçare, kur je askushi, përjeton momentet më të bukura të jetës tënde. Ishte unike. E mbaj mend akoma, për të treguar se sa mbresëlënëse ishte”, ka thënë ai për Le Parisien. “Kur Zidane më ftoi në veturën e tij, nuk isha i sigurt se si të shprehesha, kisha frikë. Në një moment i thash nëse duhet të hiqja këpucët brenda veturës. S’dua të tregoj më shumë sepse më pas nuk do të lexojnë librin tim”, rrëfen Mbape në librin e tij autobiografik. Nuk kanë munguar vlerësimet në këto ditë të fundit për Mbapenë nga figura të njohura drejtuese të UEFA-s dhe FIFA-s, të cilët e çmojnë talentin e tij dhe në këtë listë bën pjesë edhe kreu i UEFA-s, Aleksander Ceferin. Slloveni që drejton qevrinë europiane të futbollit e konsideron Kilian Mbapenë si lojtarin më të mirë në botë. Këtë deklaratë, kreu i qeverisë së futbollit europian e dha gjatë një vizite në selinë e Federatës Franceze të Futbollit, ku u takua me presidentin Noel Le Graet: “Për mendimin tim, Mishel Platini ishte, në kohën e tij, lojtari më i mirë ose një nga lojtarët më të mirë në botë. Më vonë, Zinedine Zidane ishte gjithashtu një lojtar i madh. Kilian Mbape është ndoshta lojtari më i mirë në botë sot. Përfaqësuesja franceze është shumë e fortë”.









































