Izet Haxhia ka dhënë detaje të tjera lidhur me vrasjen e ish-deputetit demokrat Azem Hajdari. Të martën gjykata vendoi t’i japë atij fjalën për të rrëfyer se çfarë ndodhi më 12 shkurt 1998, ndërkohë që ka vijuar edhe dje me deponimet. Ish-truproja i Sali Berishës, u dënua në mungesë me 25 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Hajdarit. Ai u largua drejt Turqisë pas ngjarjes dhe më pas u ekstradua në vendin tonë për të kryer dënimin. Gjykimi për të, nis nga zeroja dhe duket se tani është drejt fundit. Pasi të jepen konkluzionet finale, pritet dhe pretenca e prokurorisë dhe më pas vendimi. Por në deklaratën që ka dhënë dje Haxhia, duket se ka drejtuar gishtin nga ish-kryeministri Berisha. Ai ka deklaruar se Azem Hajdari para se të dilte poshtë selisë së PD, ishte në zyrën e Berishës. Ndërkohë ai ka deklaruar se qëllimi i atentatit ishte që të rrëzohej qeveria e Fatos Nanos. “Nuk e nxora unë Azem Hajdarin në pritë. Para se të vritej, Hajdari ishte në takim me Sali Berishën. Azemi u njoftua se jashtë PD ishte një mjet me tritol. Kur e informoi këshilltari, ishte në zyrën e Berishës. Kur doli te makina, Azemi trokiti te xhami. Jaho Mulosmani ishte shofer i makinës, nuk qëlloi. Ai që qëlloi ishte Fatmir Haklaj. Kur ndodhi ngjarja, unë isha me Halil Haklajn. Unë e Azemi kemi qenë bashkëthemelues të PD. Jam ndjerë shumë i përdorur. Vrasja u bë për të rrëzuar Fatos Nanon. Fatmir Haklaj më tha se nuk kishte shkuar për të vrarë Azemin”, janë disa nga deklarimet e Haxhisë. Pas vrasje se Hajdarit ndodhi grushti i shtetit i 14 tetorit, ku u sulmua Kryeministri dhe u mor godina e RTSH, duke shfrytëzuar pikërisht vrasjen e Hajdarit. Edhe Haxhia këtyre zhvillimeve u referohet lidhur me qëndrimin se vrasja u bë për të rrëzuar Nanon.
Si Berisha i shpëtoi dëshmisë
Në gjyqin e Haxhisë u kërkua si dëshmitar edhe ish-kryeministri Berisha, por gjykata pengoi. Prokuroria kërkoi që të thirrej dëshmitar Sali Berisha, si person që ka dijeni mbi ngjarje. Kjo pasi ai ka dhënë një dëshmi në ambasadën amerikane në atë kohë. Por trupa gjykuese ka deklaruar se dëshmia e tij nuk është e nevojshme. Berisha në disa studio televizive më herët dërgoi mesazhe të vazhdueshme drejt gjykatës që të mos e thërrasë. Elementi tjetër është se gjykata nuk siguroi dot dëshminë e personave që kanë dijeni mbi ngjarjen. Prokuroria ka kërkoi dëshminë e Zenel Nezës, personi që ishte prezent kur ndodhi vrasja. Neza ishte truprojë e Azem Hajdarit dhe mbeti i plagosur. Po ashtu gjykata nuk pranoi të thërrasë si dëshmitarë ish-kreun e SHIK, Fatos Klosi dhe familjen Haklaj.
Akuzat ndaj Haxhisë
Izet Haxhia, ish-oficeri i Gardës Kombëtare, u dënua me 25 vjet burg për veprën penale të “vrasjes për shkak të detyrës”. Ai u arrestua më 3 qershor të vitit 2006 në shtetin turk, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Hajdarit. Arrestimi i tij në atë kohë u bë i mundur falë një bashkëpunimi mes policisë shqiptare dhe Interpol Ankarasë në mesditën e datës 3 qershor, në Kushadasi të Turqisë. Ai jetoi në Stamboll deri në vitin 2004, ndërsa më pas lëvizi drejt Antalias, në Kushadasi, vend në të cilin dhe u arrestua. Më pas ai u lirua dhe në vitin 2018 Gjykata e Lartë në Turqi vendosi ekstradimin e tij në Shqipëri.



































