Performacat e ajrit në lartësi/ Akrobatia Fiona Rushiti: E rëndësishme të bëj edhe promovimin e trashëgimisë kulturore

0
449

Promovimi i trashëgimisë sonë kulturore përmes performancave nga ajri. Këtë synon ndër të tjera në aktivitetin e saj akrobatja e njohur Fiona Rushiti. Një artiste me performanca spektakolare në vende të ndryshme, e cila edhe pa ndihmën e institucioneve ia ka dalë të ketë një aktivitet të vlerësuar dhe promovim të trashëgimisë kulturore. Butrinti, ura monument kulture, kala, etj, janë disa nga zgjedhjet e saj për performanca. Fiona Rushiti një talent i zbuluar në moshë të vogël, me pasion dhe përkushtim ka arritur t’ia dalë dhe të marrë suksesin. Artistja Fiona Rushiti, që ka bërë për vete publikun tregon se kjo rrugë për të arritur suksesin nuk ka qenë e lehtë. “Unë kisha dëshirë të riktheja të pamundurën në realitet. Ajo çka ishte pamundur për shqiptarët, unë të kisha mundësi ta bëja realitet, pse jo të isha unë vajza e parë shqiptare që të sfidoja lartësitë. Jam trajnuar në mënyrën e duhur nga njerëzit e duhur”, tregon akrobatja e njohur. Guximi ka qenë pika kyçe e saj, pasi prej vitesh performon në lartësi të mëdha. Tregon se deri tani ka qenë në disa vende, mes tyre ka performuar dhe në urën e Bushtricës. Rushiti pohon se me performacën e saj ka dashur të kthejë vëmendjen dhe tek ky objekt unikal. “Të rregullohet, sepse tani është një urë që nuk i bie në sy askujt pa i ditur vlerat që ajo ka pasur shumë vite më parë për shqiptarët. Kam qenë në Butrint që është një ndër performancat më të bukura, duke nisur që nga kostumografia, te kalaja e Lëkurësit, etj. E rëndësishme për mua është që në këtë mënyrë të bëj dhe promovimin e trashëgimisë kulturore”, thotë Rushiti.

 Performanca ku spikati

Në Brar të Tiranës ka qenë pikërisht performanca me të cilën ajo ka spikatur, ku në një majë mali, ngjeshur pas një litari dhe pa mjete të tjera mbrojtëse akrobatja kreu ushtrime në 100 metra lartësi. Për sa u përket opinioneve të njerëzve që e ndjekin, Fiona tregon se mesazhe të ndryshme i vijnë ku mezi presin performancat e radhës. “Gjithmonë kam dashur tu vij shqiptarëve me nga një performancë ndryshe, sidomos në festa kombëtare siç është 28 nëntori. Vetë shqiptarët më vlerësuan dhe më cilësuan me titullin “Shqiponjë e shqiptarëve” ndaj kam vendosur, që më 28 nëntor të vij si shqiponjë e shqiptarëve”, tregon ajo. Në disa performanca si ura, malet, akrobatja Fiona Rushiti shprehet se detyrimisht duhet të jetë e lidhur. “Me këtë gjë me mua merren dy alpinistë, ndërsa në vinç zgjedhja ime ka qenë që për të luftuar mungesën e meritokracisë dhe drejtësisë që nuk ka, dhe kam guxuar që ti bëj performancat dhe pa litar sigurimi deri në 15 metra lartësi”, thotë Rushiti, e cila ka shumë vlerësime dhe në Kosovë. Një artiste akrobate e suksesshme, por Fiona Rushit tregon se nuk ka gjetur hapësira në cirk. Ajo tregon se aty nuk e kanë mirëpritur. “Cirkun e kam nisur në moshën 3 vjeçare, ku 5 vjeç kam dalë për herë të parë në shfaqje. Më pas jam shkëputur për probleme të ndryshme. Kur unë doja të kthehesha nuk më pritën më. Nuk gjeta hapësirat në cirk. Në momentin që kam kërkuar ndihmë qoftë dhe për stërvitje ndihma nuk më është ofruar. Kjo ishte një nga arsyet që fillova të stërvitesha dikur në rrugë”, thotë ajo. Fiona Rushiti gjithashtu trajnon grup-moshat e reja, që pse jo sipas saj të kemi akrobatë të tjerë të shkëlqyer në të ardhmen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here