Google search engine
Home Aktualitet Manovrat në drejtësi, ja si arriti Hajri të justifikojë pasurinë me vlerë...

Manovrat në drejtësi, ja si arriti Hajri të justifikojë pasurinë me vlerë miliona euro

0
329

Është data 3 shkurt e vitit 2020. Jemi në fshatin Pjezëz të Shijakut. Pamjet e forcave speciale të japin përshtypjen e një mobilizimi për neutralizimin e personave me rrezikshmëri. Në të vërtetë, në godinën e rrethuar nuk ndodhet askush. Por, po jepej një mesazh force nga shteti pas imazheve tronditëse të torturimit të shtetasit Jan Prenga në mjediset e këtij resorti. Pronari Altin Hajri, ishte ndër të dyshuarit për rrëmbimin dhe zhdukjen e Prengës, trupi i të cilit nuk është gjetur sot e kësaj dite. Policia vendosi ta nisë pikërisht nga aty aksionin “Forca e Ligjit”, një aksion që synon sekuestrimin e pasurive të krimit të organizuar.

“Sekuestrimi i këtij objekti dhe i të gjitha pronave të shtetasit Altin Hajri bëhet në bazë të elementit të urgjencës të parashikuar në ligjin special. Me vendosjen e kësaj mase sekuestroje, objekti kalon në administrim të Agjencisë së Administrimit të Aseteve, e cila në bazë të Ligjit Special është vendosur nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.

Ky është urdhri i drejtorit të Policisë Kriminale për sekuestrimin e resortit dhe karburantit në pronësi të Hajrit, bazuar në aktin normativ të operacionit Forca e Ligjit. Kërkesa u pranua në masën paraprake të dhënë nga gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar. Më pas, gjithçka rezultoi një blof. Gjatë shqyrtimit gjyqësor në shkallën e parë, resorti iu rikthye pronarit.

Gjykata e Apelit vendosi pushimin e çështjes, çka i ktheu përfundimisht kompleksin Altin Hajrit. Por, si arriti të justifikojë Hajri pasurinë me vlerë miliona euro? Ai paraqiti disa dokumente noteriale ku tregonte akumulimin e vlerave monetare nga shitja e tokave të familjes të përfituara nga ligji 7501. Gjykata pajtoi kontabilisten Shpresa Breçani si eksperte të jashtme për analizimin e raportit të ardhura-shpenzime. Breçani, njihet si ish-kontabiliste e biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazlliç në aferën e Porto-Romanos. Në analizën e saj Breçani arrin në konkluzionin se raporti i të ardhurave dhe shpenzimeve të Altin hajrit është plus 18 milionë lekë të reja dhe ai i justifikon burimet e financimit të kompleksit. Megjithatë, bie në sy fakti se vlera e pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme të resortit

“Golden” vlerësohen 46 milionë lekë të reja. Pra, me këtë shumë në dukje modeste është vlerësuar ky investim gjigant që shihni i përbërë nga 3 godina luksi, pishina dhe lulishte…

“Këta mundohen sa më shumë të jetë e mundur, le të themi përmes manovrave të ndryshme pse jo përmes ndikimit në instancat e strukturave kundër pastrimit parave që të sigurojnë sa më shumë para të pastër në letra, me këto para të pastra shkojnë te gjykata ku ndodh pejsa tjetër e korrupsionit” u shpreh Pano Soko, Ekspert Ekonomie

“Të certifikohet të themi kriminaliteti tyre apo përfshirja në aktivitete të paligjshme, të certifikohet prodhimi i të ardhurave në këto aktivitete se kemi pas raste të perosonave që kanë bërë vrasje apo plagosje që jo detyrimisht hyjnë në ato vepra penale të prodhimit të të mirave materiale” u shpreh profesori i drejtësisë, Alban Koçi

Pas këtij aksioni të nxituar, pa përmbyllur një dosje të kopsitur me fakte, pronat e Hajrit konsiderohen të pastra përfundimisht duke kaluar një proces në sistemin e drejtësisë.

“Kjo është një lloj legalizimi të themi dhe ndërtime pa leje, i veprimit juridik. Pra nëse nuk provojmë fajësinë e personit, përfshirjen në aktivitet kriminal ku prodhohen të ardhura të konsiderueshme, për justifikimin e këtyre aseteve në një farë mënyrë krijojmë përshtypje e një padrejtësie që i bëhet subjektit dhe japin një lloj verdikti që me të drejtë sic e përmendët ju mund të konsiderohet gjë e gjykuar”u shpreh profesori i drejtësisë, Alban Koçi. 


LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here