Bashkimi Europian duket se ka hyrë në një kurs përplasjesh me SHBA sa i takon integrimit të Ballkanit Perëndimor. Amerikanët shohin rajonin tonë me rëndësi kyçe, por BE nuk po i përgjigjet me të njëjtin ritëm. Pak ditë më parë u mbajt Samiti i Sllovenisë, ku DASH kërkoi qëndrim pozitiv për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, mirëpo kancelarja gjermane Angela Merkel, u shpreh se nuk mund të ketë datë për negociatat. Gazeta “SOT”, ka siguruar një dokument të Kongresit Amerikan, i cili flet po për integrimin e Ballkanit. Raporti mban datën 11 gusht 2021 dhe aty përveçse bëhet një panoramë e situatës në BE, theksohet se zgjerimi drejt Ballkanit është shumë i avashtë. “Edhe pse Shtetet e Bashkuara nuk kanë një rol të drejtpërdrejtë në procesin e zgjerimit të BE -së, administratat e njëpasnjëshme amerikane dhe shumë anëtarë të Kongresit kanë mbështetur zgjerimin e bllokut. Shumica e politikëbërësve amerikanë e konsiderojnë zgjerimin e BE si shërbim për interesat e SHBA duke zhvilluar demokracinë, paqen dhe mundësitë ekonomike në të gjithë kontinentin europian. Gjatë viteve, një nga kritikat e vetme të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara për procesin e zgjerimit të BE-së ka qenë se BE po lëviz shumë ngadalë. Disa zyrtarë amerikanë janë të shqetësuar se lodhja e zgjerimit, ose rënia e entuziazmit politik dhe publik brenda BE-së për zgjerimi i mëtejshëm, mund të ngadalësojë raundet e ardhshme të zgjerimit”, thekon raporti. Sipas tij, administrata e presidentit Biden ka shprehur mbështetje të vazhdueshme për zgjerimin e BE në Ballkanin Perëndimor dhe e sheh këtë lëvizje si një mjet për të promovuar stabilitetin dhe reformat në një rajon që ka rëndësi strategjike për SHBA. Por shqetësim shihet ndikimi i palëve të treta. “Zgjerimi i vazhdueshëm i BE-së mbetet i nevojshëm për të promovuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor; për të shmangur ndikimet ruse, kineze ose të vendeve të tjera, si dhe për të riafirmuar pozicionin e Turqisë si një partner kyç europian. Në mars 2020, BE miratoi fillimin e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vendimi konsiderohet si një hap kyç përpara për këto dy vende në një rrugë ende të gjatë drejt BE-së”, thuhet aty.
Roli amerikan
Në raport theksohet se që kur mori detyrën presidenti Biden, administrata e tij ka ofruar mbështetje të për zgjerimin e BE. “Shumë anëtarë të Kongresit kanë dhënë mbështetje të gjerë për zgjerimin e BE-së, veçanërisht për Ballkanin Perëndimor, mes shqetësimeve në rritje në lidhje me aktivitetet ruse dhe kineze në rajon. Ashtu si në të kaluarën, disa zyrtarë amerikanë shfaqen të frustruar nga vonesat në procesin e pranimit në BE dhe të shqetësuar se ai po ecën shumë ngadalë”, thekson raporti. Më tej thuhet se Ballkani ka ndërmarrë shumë reforma të rëndësishme të kërkuara nga BE dhe bllokimi negociatave po dëmton besueshmërinë e unionit. Sipas tij, zvarritja e procesit dërgon mesazhe negative te vendet aspirante dhe kjo do të sjellë bllokim të reformave. Nëse shohim zhvillimet gjatë gjithë këtij viti, SHBA ka reaguar disa herë në mbështetje të Ballkanit dhe ka qenë mjaft kritike ndaj BE. Edhe pse u hapën negociatat, nuk ka ende një datë për mbledhjen e përbashkët ndërqeveritare. Këtë herë ka qenë Bullgaria, e cila bllokoi procesin për shkak të konflikteve me Maqedoninë e Veriut. Por sipas SHBA, zvarritja e procesit mund të shtojë ambiciet e Rusisë dhe të Kinës.



































