Aksionet e SPAK trembin administratën, bien tenderat me probleme, anëtarët e komisioneve të prokurimit frikë nga përgjimet dhe hetimet

0
175

Operacionet e Prokurorisë së Posaçme muajt e fundit për të goditur abuzuesit me tenderat kanë vënë në alarm administratën publike. Prej 30 vitesh janë bërë pazare me prokurimet në vend dhe janë me mijëra raste kur fitues nuk kanë qenë kompanitë që e meritojnë. Vjedhjet bëheshin hapur dhe prokuroria nuk vepronte. Mirëpo muajt e fundit janë realizuar një sërë operacionesh nga Prokuroria e Posaçme, e cila ka shqetësuar administratën, si në nivel qendror ashtu dhe vendor. SPAK po tregon se po godet si drejtorë në nivele të ulëta, ashtu dhe në nivele të larta. Në Lushnje u arrestua kreu i bashkisë. Kemi rastin e tenderit me uniformat e policisë. Në Bulqizë u zhvillua një operacion i tillë ku u zbulua abuzimi me punësimet në arsim. Të premten ra në pranga ish-kreu i RTSH, ndërkohë që janë shumë raste të tjera në hetim. Sipas informacioneve, të tilla raste kanë shqetësuar jo pak administratën dhe sidomos ata që merren me prokurimet. Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë nisur të jenë shumë herë më të kujdesshëm. Mësohet se 2 muajt e fundit janë shënuar me dhjetëra raste kur anëtarë të caktuar refuzojnë të firmosin nga frika e hetimeve. Ajo që vihet re me fakte është se numri i tenderave me probleme ka rënë që kur SPAK ka nisur lëvizjet. Sipas të dhënave të siguruara nga Komisioneri i Prokurimit Publik në muajin korrik të këtij viti ka pasur 76 ankesa për shkelje të procedurave, ndërsa në muajin gusht kjo shifër ka rënë në 66 dhe sipas burimeve (ende nuk ka dalë raporti) në muajin shtator ky numër pritet të jetë më i ulët. Kjo shifër tregon se anëtarët e KVO po tregohen më të kujdesshëm në atë se çfarë firmosin duke kualifikuar kompanitë e duhura në shumicën e rasteve. Ndërkohë një burim i tha gazetës se shumica prej tyre kanë kufizuar bisedat telefonike lidhur me tenderat. Duke qenë se përgjimet kanë fundosur shumë zyrtarë, anëtarët e komisioneve të ofertave shmangin bisedat për çështje kompanish dhe procedurash tenderimi.

Paditë për tenderat

Rezulton se që nga viti 2019, kemi plot 79 padi në SPAK për abuzime me tenderat. Më konkretisht, në vitin 2019 kur dhe SPAK sapo u krijua mori 9 padi për abuzime me tendera, padi të bëra në prokuroi të tjera. Ndërkohë sipas raportit vjetor për vitin 2020 rezulton se ka pasur plot 47 procedime penale. Ndërsa gjatë 2021 ka pasur 23 procedime. Pra që kur është krijuar SPAK e deri më sot kemi 79 padi. Sipas burimeve, një pjesë e padive janë të bëra nga partitë politike, por pjesa dërmuese janë bërë nga kompanitë private. Shumë kompani që kanë marrë pjesë në garën e tenderit dhe janë skualifikuar në mënyrë të dyshimtë, përveç rrugës që ndjekin në Gjykatën Administrative, depozitojnë dhe padi penale në SPAK. Rast i tillë ishte ai i Bashkisë së Lushnjes, ku kompania e skualifikuar paditi kryetarin. Mësohet se e njëjta skemë po ndiqet dhe me kompanitë e tjera. Sidomos tani që SPAK dha sinjale se u shkohet deri në fund padive të tilla, mjaft kompani që mendojnë se u është bërë padrejtësi i drejtohen kësaj strukture.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here