Orkestra Simfonike e RTSH zhvillon këtë mbrëmje koncertin vokal- simfonik, në hollin “Gjon Simoni”. Koncerti sjell vepra të autorëve të njohur botërorë, por nuk mungojnë dhe pjesë shqiptare. Dirigjent Oleg Arapi, soliste Renisa Laçka soprano, Enea Fetahu në violinë. Në program janë vepra nga Emanuel Chabrier: España. Rhapsody For Orchestra; Giacomo Puccini: La Boheme, Quando me’n vo (Renisa Laçka, soprano); Franz Lehar: Giuditta, Meine Lippen sie küssen so heiß.(Renisa Laçka soprano); Arjan Avrazi: Romancë për Violinë e Harqe (Enea Fetahu); Dimitri Shostakovich: Suite for Variety Stage Orchestra, Waltz 2; P. I. Tchaikovsky: Pique Dame, Prelude; Giusepe Verdi: I vespri siciliani, Merce, dilette amiche (soprano Renisa Laçka), si dhe vepra të autorëve të tjerë botërorë. Me dhjetëra koncerte dhe festivale muzikore kanë qenë nën drejtimin e dirigjentit Oleg Arapi, i cili prej dekadash zhvillon një aktivitet të pasur artistik. Mes vlerësimeve për maestron, profesor Oleg Arapin përmendim dhe Akademinë Imperiale në Itali, që i dha “Yllin e Artë”. Soprano Renisa Laçka është një nga zërat e rinj dhe pranë Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, që prej vitit 2017. Roli i parë debutues i saj në TKOB është roli i Violetës nga opera “La Traviata” e G. Verdit për të vazhduar me rolet në vazhdim si Micaela nga opera “Carmen”, Rosalinde tek “Die Fledermaus”, Mimi në operën “La Boheme”, Oscar nga “ Un ballo in maschera”, Adina nga opera “L’elisir d’amore”. Ajo ka interpretuar rolin e Micaela nga opera”Carmen” në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Beograd. Pjesëmarrëse gjithashtu në koncertet e solistëve lirikë, koncertet gala të fundvitit, koncertet “Artistët e së ardhmes” dhe në koncerte të tjera vokalo – simfonikë të kalendarit artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.