“Mund të kthehemi te kufizimet e 20 viteve më parë”/ Kriza e energjisë elektrike, gazetari i njohur del me paralajmërimin shqetësues: Shqipëria do të goditet më shumë sesa shtetet e tjera!

0
283

Gazetari Klodian Tomorri paralajmëron se me krizën e energjisë ekziston rreziku i kthimit të kufizimeve drastike në pamundësi për të blerë energji për muajt e dimrit, do të kthente vendin në situatën e 20 viteve më parë.

Tomorri tha për MCN se diversifikimi i burimeve të energjisë, një opsion real në Shqipëri, krahas burimeve hidrike, nuk është arritur të shfrytëzohet për shkak të korrupsionit në vend. Për më tepër, në ndryshim nga vendet e tjera të Europës, lëkundjet që pëson çmimi i energjisë nuk reflektohen asnjëherë në kahun zbritës në Shqipëri.

“Jemi në dy situata të ndryshme, pavarësisht shqetësimit për rritjen e çmimit të naftës. Shqetësimet për çmimet e karburanteve nuk janë aq të ngutshme sesa çmimet e energjisë elektrike. Procesi si ndryshojnë çmimet nis nga kërkesa që bëjnë oshe, ost dhe kesh. Jemi në një situatë krize. Kemi parë rritjen e çmimeve në tregjet dhe bursat europiane. Sot po tregtohet me 240-250 euro ndërkohë që disa muaj më parë ishte 40 euro. Shkak është disbalanca mes ofertës dhe kërkesës. Në finale pyetja a do të kemi rritje të çmimit? Po, rritja do të ndodhë, nuk ka rëndësi nëse e paguajmë në faturë apo qeveria do ta marrë koston në buxhet. Por përtej çmimit jemi në situatën e rikthimit të kufizimeve.

Në raste krizash, qeveritë ngrenë atë që quhet mburoja sociale. Në shqipëri ka një problem dhe ngurtësim të tregut. Shqipëria nuk ndërtoi dot një treg energjie. Kemi parë që në vite çmimi i energjisë vetëm është rritur. Në vitin 2014, çmimi u rrit me 22%. Këtu tregu reagon vetëm në rritje. Pasi rritja instalohet, nuk ka më rënie. Energjia është mall si çdo tjetër në treg. Nuk mund të shitet nën kosto, por në Shqipëri tregu është mbajtur monopol. Ne sot nuk kemi bursë energjie. Është keqmenaxhim i sektorit të energjisë. Shqipëria është vend me burime hidrike, energji diellore në 300 vitë në vit. Por këtu hapen ankandet për të ndërtuar burime të reja dhe dështojnë për shkak të korrupsionit. Kujtoni parkun e Akërnisë, sot rrezikojmë të shkojmë në arbitrazh për të. Ne varemi nga ecuria e çmimeve të energjisë në tregun europian, por duhej të ishim shumë më të mbrojtur për shkak të burimeve që kemi. Por nuk arrijmë ti menaxhojmë për shkak të korrupsionit. Shqipëria do të goditet shumë më tepër nga kjo krizë. Këtu bëhet fjalë se Shqipëria këtë dimër mund të përballet me kufizime drastike, pra të kthehet 20 vjet mbrapa. Është një kërcënim real. Ne e pamë që para pak ditësh OSHEE nuk arriti të siguronte energjinë që i duhet vendit dhe çmimi u rrit. Për shkak të një sërë arsyesh, Shqipëria rrezikon një krizë më të rëndë.

Financat e OSHEE-së janë literalisht të rrënuara. Kjo kompani është keqmenaxhuar në vite. Aty bëhen shpenzime pa kriter. Ne kemi investuar miliarda në energjetikë, por ato nuk kanë sjellë në të njëjtin nivel përmirësimin e sistemit.”, tha Tomorri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here