Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë publike sot detajet e operacionit që zhvilloi dje në Zyrën Arsimore në Dibër.
SPAK sqaron se një person, i identifikuar në dosje si H.SH ka dashur të fillojë punë si mësues.
Për këtë arsye ai ka kontaktuar me F.F,. punonjës i Këshillit të Qarkut Dibër. Ky i fundit i ka premtuar kundrejt shpërblimit që ti sigurojë ndikim te drejtuesit e Zyrës Arsimore , në mënyrë që H.SH të punësohet si mësues.
Gjatë operacionit, menjëherë pas dorëzimit të shumës prej 100.000 lekësh nga shtetasi H.SH kundrejt F.F kanë ndërhyrë punonjësit e policisë duke bërë arrestimin në flagrancë të tyre si dhe duke bllokuar provat materiale.
Njoftimi i plotë:
Në kuadër të procedimit penal nr.176/2021 të SPAK, nga veprimet ka rezultate që shtetasi H.SH ka dashur të fillojë punë si mësues pranë Zyrës Arsimore Dibër.
Për këtë qëllim ai ka kontaktuar me shtetasin Fitim Farruku, punonjës i Këshillit të qarkut Dibër. Ky i fundit i ka premtuar, kundrejt shpërblimit, që t’i sigurojë ndikimin tek drejtuesit e Zyrës Arsimore Dibër, në mënyrë që H.SH të punësohet si mësues pranë kësaj zyre.
Gjatë operacionit, menjëherë pas dorëzimit të shumës prej 100.000 lekësh nga shtetasi H.SH kundrejt shtetasit Fitim Farruku.
Kanë ndërhyrë sakaq punonjësit e policisë duke bërë arrestimin në flagrancë të tyre si dhe duke bllokuar provat materiale.
Shtetasi H.Sh. dyshohet se ka konsumuar elementet e veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë, shtetasi Fitim Farruku dyshohet se ka konsumuar elementet e figurës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.”










































