“Audienca e Vaclav Havelit” është një vepër teatrore shkruar nga autori i njohur Jeton Neziraj. Shfaqja erdhi në teatrin e Metropolit me regji nga Agon Myftari. Aktorët në shfaqje janë Dukagjin Podrimaj dhe Shpëtim Selmani. Vepra teatrore erdhi për publikun në skenën e teatrit Metropol në kuadër të festivalit “Adriatik”. E shfaqur më parë në skena të ndryshme teatrore, vepra nga Kosova erdhi edhe për publikun në Tiranë. Në “Audienca e Vaclav Havelit” një drejtor i një teatri vizitohet nga një hetues policie, i cili ka me vete një dosje hetimore të quajtur “dosja teatri”. Dramaturgu i njohur Jeton Neziraj shkruan se ky s’është një hetues dosido, por një tip kureshtar i cili para se të kërcejë nga një lëndë në tjetrën, studion, analizon, informohet dhe tek pastaj i nisë hetimet. “Hetuesi i “Audiencës së Vaclav Havelit”, e ka lexuar madje edhe “Sistemin” e Stanisllavskit”, një libër ky i mbiquajtur edhe si Bibla e Kurani i teatrit. Por nejse, se ky nuk është thelbi i kësaj drame. E cili është thelbi, do të pyesni ju? Puna është se, drama nuk ka fare thelb. Por, a ka së paku konflikt, do të pyeste dikush? Epo, si të themi, si ta marrësh! Në “Audienca e Vaclav Havelit” shteti autoritar ka ngritur një sistem të çuditshëm burokratik, një kullë Babiloni me letra e rregullore, ligje e amendamente, vendime, nene, aneks-vendime e aneks-nene, si një rrjetë e hekurt merimange”, shkruan autori.
Kurthe dhe akuza
Rreth veprës teatrore, dramaturgu Jeton Neziraj vijon se kjo përdoret për të bërë shantazh, për të ngritur kurthe, akuzuar e zhveshur nga pozita e dinjiteti njerëzor gjithësecilin që shteti të dojë. Sipas tij, veçanërisht ata të padëgjueshmit dhe ata që refuzojnë t’i bashkëngjiten këtij sistemi. “Është e parëndësishme që ti nuk ke bërë ndonjë gabim, prapë se prapë do të gjendesh fajtor, sepse diku aty ekziston një nen, në njërin prej ligjeve a rregulloreve të pafundme, që dëshmon se ti ke qenë në “konflikt interesi” me…se iu ke shmangur nenit b apo f të ligjit për…Ti dëshiron të mbrohesh, prandaj thirresh në një ligj tjetër, siç thirret në ligjin që e “garanton lirinë krijuese”, personazhi i “Audiencës së Vaclav Havelit”, por jo, krejt e kotë, sepse gjithmonë është edhe një ligj tjetër, dhe pastaj edhe një rregullore e madje edhe një nen kushtetute që dëshmon të kundërtën”, shkruan Neziraj që shton se prandaj edhe drejtori i “Audiencës së Vaclav Havelit” gjendet fajtor. Muzika në shfaqje nga Tomor Kuci dhe skenografia e kostumet Nicola Minssen. Jeton Neziraj është një dramaturg nga Kosova. Ai ka shkruar rreth 15 pjesë teatrale, të cilat janë vënë në skena të vendeve të ndryshme në Europë, por edhe në SHBA. Shkrimet dhe dramaturgjia e tij është përkthyer në më shumë se 10 gjuhë. Veprat e Nezirajt janë vënë dhe më parë në skenat e teatrit në Tiranë.





































