Pas vendimit të bërë me dije ditën e diel se Franca ka tërhequr ambasadorin e saj në Shtetet e Bashkuara, ministrja e Mbrojtjes e Francës, Florence Parly anuloi dje një takim me homologun e saj britanik, Ben Wallace. Ky vendim është marrë për shkak të zemërimit që nxiti marrëveshja mes Britanisë së Madhe, SHBA dhe Australisë e njohur me emrin Aukus. Takimi mes Parly dhe Wallace ishte parashikuar të mbahej këtë javë dhe u anulua edhe pse Franca të djelën deklaroi se masat e marra ndaj SHBA nuk do të aplikoheshin ndaj Britanisë për shkak se këtë të fundit e konsideronin vetëm si një rrotë të tretë në marrëveshje dhe një shtet oportunist. Me marrëveshjen Aukus që u arrit javën e kaluar, SHBA-ja dhe Britania e Madhe do t’i japin Australisë teknologji për të ndërtuar nëndetëse me energji bërthamore, për herë të parë. Parisi është i zemëruar, pasi me paktin Aukus, Australia i dha fund një kontrate me Francën për ndërtimin e 12 nëndetëseve konvencionale. Kjo kontratë, në vlerë prej 37 miliardë dollarësh, ishte nënshkruar në vitin 2016. Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, e cilësoi paktin Aukus si “goditje në shpinë”, që, siç tha, përbën “sjellje të papranueshme midis aleatëve dhe partnerëve”. Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, e mbrojti vendimin e tij për të anuluar marrëveshjen me Francën. Ai tha se e kupton zhgënjimin e Francës, por shtoi se ka qenë gjithmonë i qartë në lidhje me pozicionin e Australisë. Qeveria franceze “ka pasur çdo arsye për të ditur se ne kemi shqetësime të thella dhe të rënda”, tha ai.
Koreja e Veriut kërcënon SHBA-në
Në lidhje me marrëveshjen Aukus, Shtetet e Bashkuara kanë marrë dje një kërcënim nga Koreja e Veriut. Kjo e fundit paralajmëron SHBA-në për kundërmasa ndaj marrëveshjes së nëndetëseve. Koreja e Veriut kritikoi vendimin e SHBA-së për të siguruar nëndetëse me energji bërthamore për Australinë dhe paralajmëroi Washingtonin se mund të zbatojë kundërmasa nëse përcaktohet se marrëveshja prek sigurinë e vendit. Një zyrtar nga Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, e ka cilësuar marrëveshjen mes SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Australisë si një “veprim jashtëzakonisht të rrezikshëm” i cili do të nxisë një reaksion zinxhir të garës për armë” dhe i cili do të prishë balancën e sigurisë në Azi-Paqësor. “Koreja e Veriut po shqyrton nga afër marrëveshjen”, tha zyrtari i ministrisë i cili shtoi se do vazhdojnë veprimet reciproke nëse kjo do të ketë ndikimin më të vogël negativ mbi sigurinë e vendit. AA raporton se ky zyrtar shtoi se situata aktuale tregon edhe njëherë se nuk duhet të lehtësohen aspak përpjekjet për të forcuar aktivitetet e mbrojtjes kombëtare të bazuara në perspektivat afatgjata. Të tilla deklarata nga Koreja e Veriut, vijnë ndërkohë që ky shtet vijon të zhvillojë me vrull programin bërthamor. Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) tha se Koreja e Veriut me shpejtësi po e zhvillon programin e saj bërthamor. Vlerësimet u bën nga ana e drejtorit të përgjithshëm të kësaj agjensie, Rafael Grossi gjatë një takimi vjetor të vendeve anëtare. “Në Korenë e Veriut, programi bërthamor po vazhdon me vrull të plotë përmes ndarjes së plutoniumit, pasurimit të uraniumit dhe aktivitete të tjera”, tha Grossi. Këto aktivitetet përbëjnë shkelje të disa rezolutave të OKB-së. Agjencia vjen në përfundime të tilla për këtë vend vetëm përmes imazheve satelitore, pasi inspektorët e saj nuk lejohen të kenë qasje në aktivitete dhe uzinat bërthamore. Paralajmërimi i fundit vjen disa javë pasi IAEA raportoi se Pheniani mbase ka rifilluar një aktivitetet në qendrën bërthamore Yongbyon. Sipas AA, ekspertët thonë se imazhet e fundit satelitore tregojnë për planet e Koresë së Veriut që të rrisë prodhimin e materialieve që përdoren për armët bërthamore. Më 15 qershor Pheniani lëshoi dy raketa balistike në det. Koreja e Veriut pretendoi se kishte testuar raketa të reja me rreze të gjatë veprimi. Komanda e Ushtrisë amerikane për Indo-Paqësorin tha se pauza për një kohë e Koresë së Veriut në testimin e raketave me rreze të gjatë veprimit tregon për “fokusin e vazhdueshëm në zhvillimin e programit të saj ushtarak dhe kërcënimin që paraqet ai për fqinjët dhe komunitetin ndërkombëtar.









































