Ballina Dosier Historia me ish-agjentin e CIA-s/ Dëshmia e shefit të Zbulimit: Pas dënimit,...

Historia me ish-agjentin e CIA-s/ Dëshmia e shefit të Zbulimit: Pas dënimit, i shkova në burgun e Burrelit. Kur i kërkova që ta nxjerrim jashtë e të punonte për ne, ai tha…

0
33

Publikohet historia e panjohur e Dr. Hasan Luçit, ish-Shefi i Zbulimit për “emigracionin reaksionar” jashtë Shqipërisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në vitet ’70 – ’80-të, i cili dëshmon lidhur me Avdul Banushin, i njohur ndryshe si ‘agjent i CIA-s’ që hodhi bombat në ambasadat shqiptare të Romës e Parisit në vitin 1974 dhe hyri disa herë me misione të fshehta zbulimi në territorin e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, deri sa u arrestua në 7 prillin e vitit 1975 në afërsi të kufirit shqiptar me Malin e Zi pranë Hanit të Hotit, pas një gracke të përgatitur personalisht nga ministri i Punëve të Brendshme të asaj kohe, Kadri Hazbiu, duke infiltruar disa persona në përbërje të bandës së kryesuar nga Avdul Banushi.

Dëshmia e rrallë e ish-Shefit të Zbulimit Shqiptar, Dr. Hasan Luçi, i cili tregon për misionin e tij në Burgun e Burrelit, ku shkoi për të takuar Avdul Banushin, të cilit i ofroi bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit, si dhe përgjigja e tij negative, duke u shprehur: “Nëse më nxirrni i nga burgu, edhe 100 herë të tjera do bëj të njëjtën gjë, do t’ju vë përsëri bombat”!

Lidhur me dëshmitë e Avdul Banushit të dhënë në intervistën e tij ekskluzive që Memorie.al publikoi në gjashtë numra radhazi, ne i’u drejtuam ish-Kryetarit të Degës së Zbulimit Shqiptar, Dr. Hasan Luçit, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili ka punuar për afro 30-vjet në ato organe dhe është i njohur për lexuesit e shtypit shqiptar të para dhe pas viteve ’90-të, si dhe nëpërmjet disa intervistave që ka dhënë autorit të këtij shkrim i për të ashtuquajturën “Banda e Xhevdet Mustafës”, etj.

Lidhur me intervistën e Banushit, Dr. Hasan Luçi shprehet: “Ndonëse unë nuk kam pasur të bëj direkt me grupin e Avdul Banushit, kam dijeni në tërësi dhe në veçanti për atë grup diversionist, për rastet kur ai shkelte në territorin apo sektorin tim.Zbulimi Shqiptar që kishte përvojë të gjatë me bandat, e ndiqte me përparësi atë grup që kur u krijua nga organizata “Fronti i Rezistencës”. Po kështu, që kur u formua ai grup, me anë të bashkëpunëtorëve tanë në shtete të ndryshme të Botës ne ndiqnim të gjitha lëvizjet e tij dhe aktet armiqësore, si dhe kishim dijeni edhe për bazën ku ata stërviteshin në Amazonë. Por herë pas here ata na i fshihnin gjurmët, sepse për të lëvizur nga një shtet në tjetrin, ata bënin shumë lëvizje të tjera të rreme në shumë shtete të ndryshme të Botës. Ndaj ne e kishim të pamundur për t’ i ndjekur lëvizjet e tyre në ato shtete, qoftë nga ana financiare, me bashkëpunëtorë, apo edhe nga mungesa e vizave që nuk mund të siguroheshin në kohë.

Po kështu ne nuk mund t’ju thoshim bashkëpunëtorëve tanë më shumë se ç’dinin ata për ndjekjen e kontrollin e atij grupi, ndërsa vetë e kishim të pamundur që t’i ndiqnim ata, sepse prania jonë në ato vende dhe shtete ku ata lëviznin, apo në bazat që stërviteshin, mund të krijonte dhe probleme diplomatike e ndërshtetërore. Ne kishim dijeni të plotë se Avdul Banushi ishte kryetari i grupit dhe se ai i udhëhiqte misionet në drejtim të Shqipërisë, ku kishte kryer edhe disa akte terroriste, por e kishim të vështirë kapjen e tij, sepse nuk dinim gjithçka për kohën dhe vendet ku hynte e zbarkonte ai.

Ne njihnim edhe disa shokë të tij dhe tërhoqëm në bashkëpunim disa prej tyre. Edhe në nëntorin e vitit 1974, në paradën e madhe të 30-vjetorit të çlirimit, ne kishim dijeni se ai kishte ardhur në Tiranë me grupin e tij dhe strehohej tek një bazë në Pallatet “Shallvare”, por nuk e dinim vendin e saktë ku strehohej. Për këtë arsye u lëviz tribuna e udhëheqjes nga Hotel “Dajti” për tek Kryeministria, në mënyrë që të sigurohej jeta e udhëheqjes dhe e udhëheqësit kryesor të Partisë, Enver Hoxhës.

Ne ramë disa herë në gjurmët e tyre dhe u kapëm edhe materialin eksploziv që kishin fshehur në zonën kufitare, por ata na u larguan përsëri, duke dalë jashtë kufirit tonë shtetëror, se nuhatën pritat. Avduli kishte përvojë ilegale dhe cilësi zbuluese e mbrojtëse, qe i shkathët dhe shfaqte zgjuarsi natyrore të shkallës së lartë. Ai kishte gjithashtu natyrën e labit trim e luftëtar, sipas konceptit të vet të luftës në mes dy sistemeve.

Pra ne kishim të bënim me një kundërshtar të fortë e me mbështetje të madhe të jashtme, e lidhje të brendshme. E vetmja mënyrë për kapjen e Avdul Banushit, ishte shfrytëzimi i ardhjes së tij në Shqipëri me anë të ndonjë kombinacioni dhe për këtë gjë, na u desh mjaft kohë. Ai u kap dhe u arrestua në vitin 1975, se shokët e New Yorku që e ndiqnin këtë grup, punuan në mënyrë të shkëlqyer.

Gjatë kohës që vuante dënimin në burgun e Burrelit, unë i shkova atje dhe në takimin që bëra vetëm për vetëm me të, i tatova pulsin e vendosmërisë së tij pas kapjes e dënimit, nëse mund të bënim ndonjë kombinacion agjenturor brenda vendit, apo ta nisnim në Perëndim, ku ai të punonte për Shqipërinë. Por Avduli ishte shumë i vendosur në rrugën e tij antikomuniste dhe m’u përgjigj duke më thënë se: jo vetëm që nuk do të punonte për ne, por nëse dilte nga burgu, do të bënte të njëjtën gjë edhe 100 herë të tjera, duke vënë bombat, etj.

Pas viteve 1990-të, kur ai doli nga burgu erdhi më takoi dhe jemi takuar disa herë dhe vazhdojmë të takohemi përsëri, si miq opozitarë, duke kujtuar ngjarjet e kohës, kur kemi gabuar e ç’mund të bëhet për t’i lehtësuar plagët këtij vendi në kushtet e sotme, duke pasur si busull rolin dhe vendin e shqiptarëve. Qeveritë shikojnë hallet e veta dhe jo të shtetarëve që u shërbejnë. Qëndrimi i tyre ndaj shërbimeve sekrete dhe për njerëzit që rrezikojnë është mosmirënjohës. Ata trajtohen si të rëndomtë dhe përkushtimi i tyre nuk shpërblehet.

Avduli qe një antikomunist i aksionit, por harronte se Zbulimi Shqiptar kishte në dorë armën e mbrojtjes së Atdheut dhe vinte në shërbim atdhetarë që merrnin parasysh gjithçka, gjë që Avduli nuk e pati gjithnjë parasysh dhe ra në grackë. Më vjen mirë që ai tregon kujtimet e veta, jo për t’u mburrur, por që njerëzit të kuptojnë realisht qëllimet e luftës së ftohtë dhe rolin e veçantë të njerëzve që punuan në dy kampet dhe kushdo të nxjerr përfundimet mbi të mirën dhe të keqen që i bën Atdheut çdo qeverisje apo shtetar. Është koha që shqiptarët të mendojë dhe punojnë më shumë për vete, siç bënë e gjithë bota tjetër. /Memorie.al

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj

%d bloggers like this: