Zbulimet e fundit të Kombëtares Broja fitoi sulmin, Reja fitoi Bajramin

0
208

Kombëtarja siguroi 6 pikë në tre ndeshjet e luajtura në këtë fazë të eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Katar-2022”, një pikavarazh i mirë, por jo maksimal, duke pasur parasysh se në tre takime u fituan dy ndeshje dhe u humb dueli me një rival direkt si Polonia. Gjithsesi, fitoret me Hungarinë dhe San Marinon e kanë ngjitur përfaqësuesen tonë në vendin e tretë në grupin I kualifikues, një pozicion që nëse ruhet deri në fund mund ta pozicionojë Shqipërinë në “play-off”, pra i jep një shans të lakmojë pjesëmarrjen në Botërorin e Katarit. Me përjashtim të ndeshjes me Poloninë, ku skuadra luajti mirë por pësoi shumë gola të rëndomtë, dhe një humbje të pakuptueshme 4-1, në dy takimet e tjera kuqezinjtë luajtën mirë dhe merituan gjithçka, duke rimarrë vendin e dytë, pas Anglisë dhe duke mbajtur gjallë shpresën e prezencës në “play-off”, një shans për kualifikim në Botëror. duke analizuar me kujdes lojën dhe rezultatet në këto tri ndeshje të fundit, me siguri që trajneri Edi Reja ka nisur të shkruajë që prej vërshëllimës së fundit të gjyqtarit të ndeshjes me San Marinon. Ai ka aktivizuar shumë lojtarë në këto ndeshje dhe me siguri që ka mbajtur e mban shënime për ta. Por është fakt evident që dy fakte janë të pakundërshtueshme, që Nedim Bajrami është superlojtar dhe do t’i bëjë punë Kombëtares me kualitetin e tij, si dhe spektakli i Armando Brojës me gola vendimtarë në dy takimet e fundit. Nëse Reja ka qenë vigjilent, këto dy fakte nuk mund t’i anashkalojë në sfidat e ardhshme.

Broja fiton sulmin

Sokol Cikalleshi ishte lojtari më i vlefshëm në sulmin e Kombëtares, një pozicion që ai e fitoi me punë dhe përkushtim të madh. Sulmuesit e tjerë nuk kanë pasur tregues të lartë dhe nuk e kanë shpërblyer lojën e skuadrës. Uzuni, Roshi, Balaj, Manaj e të tjerë nuk kanë vijimësi, kështu që shfaqja e Brojës, një lojtari që s’ka bërë ende 20 vjeç, tregon se Shqipëria ka fituar një lojtar me peshë në vijën e sulmit. Por më shumë se Kombëtarja ka fituar vetë Broja, i cili, me dy golat në dy ndeshjet e fundit e ka fituar vendin e tij tashmë e me të drejtë do të kërkojë rol titullari në sfidat e ardhshme. Këtë fakt nuk mund të mos e marrë parasysh trajneri Edi Reja.

Kombëtarja fiton Bajramin

Ndaj Polonisë Nedim bajrami nuk luajti, kurse ndaj Hungarisë luajti një pjesë loje. Edhe ndaj San Marinos e nisi titullar por u zëvendësua. Në këto dy takime, të mbledhura bashkë vetëm 90 minuta, treguan se Nedim Bajrami është vlerë e fituar nga Kombëtarja, sepse është lojtar që bën diferencën. Ai organizon, zhdërvjelltëson veprimet me topin dhe godet portën kundërshtare. Është lojtar i fuqishëm dhe me cilësi teknike të admirueshme. E thënë ndryshe, në mesfushën e përfaqësueses ai bën dallim dhe këtë dallim e tregoi menjëherë sapo zbriti në fushë. me siguri që e ka fituar vendin e titullarit edhe për në duelet në vazhdim, por mund të kërkojë dhe më shumë dhe historia e numrit 10, që mbahet nga Manaj, mund të kthehet në debat në sfidat e ardhshme, pasi Bajrami është realisht lojtar inteligjent, cilësor dhe që bën diferencën në fushë. Pra, përveç 6 pikëve, në këto dy ndeshjet e fundit Shqipëria fitoi një mesfushor mjaft cilësor, si Bajramaj, si dhe një sulmues që tani shpërblen lojën e grupit siç është Broja. Reja duhet ta ketë kuptuar patjetër këtë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here