Policia ka arrestuar drejtorin e IKMT-së Dibër pasi ka marrë ryshfet për të mos gjobitur një kompani minerare për shkelje.
NJOFTIMI
Finalizohet operacioni policor i koduar “Bankomati”.
Vihen në pranga Drejtori i IKMT-së në qarkun Dibër dhe administratori i një kompanie që operon në fushën minerare në qarkun Dibër.
Në kuadër të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e korrupsionit, Njësia për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK), finalizuan me sukses operacionin policor “Bankomati”, si rezultat i të cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve: L. M., 56 vjeç, , banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i IKMT-së në qarkun e Dibrës.
E. E., 34 vjeç, banues në Tiranë, adminstrator i një kompanie që operon në fushën minerare në qarkun Dibër.
Arrestimi i këtyre personave u bë pasi shtetasi L.M, në cilësinë e Drejtorit të IKMT, në Qarkun e Dibrës, ka abuzuar me detyrën duke marrë ryshfet nga shtetasi E. E, adminstratori i kompanisë , shumën prej 50.000 lekë të rinj, për të mos filluar procedurën për shkeljen e konstatuar tek ky subjekt nga grupi i kontrollit për mungesën e dokumentacionit, si lejen mjedisore e dokumente të tjera.
































