Teksa po afron 10 shtatori, rritet presioni ndaj kryedemokratit Lulzim Basha lidhur me kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u distancuar nga ish-kryeministri Sali Berisha. Këtë javë të gjithë presin një reagim nga Partia Demokratike sa i përket kësaj çështjeje. Dje ka folur ish-funksionari i PD, Besnik Mustafaj, i cili ka zbuluar dhe skemën që mund të ndiqet për të larguar Berishën nga grupi. Në një intervistë për “Abc News” ai i ka sugjeruar Bashës të mbledhë Këshillin Kombëtar dhe të hedhë në votim të fshehtë përjashtimin e Berishës. “Po ta zgjidhë vetë Berisha thjeshtohen gjërat. Ka gjasa? Nuk e di nuk shoh ndonjë shenjë. Ka thënë që do të jetë në parlament dhe më aktiv. Ky nuk është një vendim që duhet ta marrë vetëm dhe vetëm me kryesinë. Nëse Basha ka mendimin që ta përjashtoja nga grupi, vendimi duhet ta marrë këshilli kombëtar dhe grupi parlamentar me votim të fshehtë pa debat. Këtë duhet ta kërkojë kryetari i PD-së. Nuk mund ta marrë ai, ta mbajë ai, një barrë të tillë. Në kushtet që nuk është bërë asnjë transparencë të takimeve të Bashës me Kim. Basha këtu ka bërë gabim, ta përgatisë lidershipin, këshillin kombëtar dhe grupin parlamentar dhe aleatët”, tha ai.
Reagon Kadilli
Ndërkohë ka reaguar edhe ish-kandidati për kryetar i PD, Fatbardh Kadilli, i cili me anë të një statusi në rrjetin e tij social Facebook kërkoi që PD dhe Kryesia të distancohen nga Berisha. Kadilli tha se e ardhmja e partisë nuk mund të jetë “non grata” dhe PD duhet të mbajë një qëndrim sa i përket Berishës. Ish-kandidati për kryetar të PD tha se ky qëndrim nuk duhet zvarritur dhe nuk mund të vendoset në sekondat e fundit. Sipas tij, Basha duke mos reaguar është duke e vendosur partinë në një udhëkryq të rrezikshëm. “E ardhmja e PD-së nuk duhet të jetë “non grata”. PD duhet të ketë një qëndrim të qartë në raport me ish-kreun e saj Sali Berisha. Nuk mund të presim vendime surprizë apo të minutës së fundit për një çështje që lidhet me fatin dhe të ardhmen e PD-së. As nuk mund të zvarritemi pa bërë asgjë. Berisha e ka bërë të qartë që fatin e PD-së do ta mbajë lidhur me fatin e vet “non grata”. Basha nuk flet duke e lënë partinë në kryqëzime të rrezikshme politike”, tha ai. Kadilli tha se tashmë ka ardhur momenti të flasë partia mbi qëndrimin që ka ndaj ish-kryeministrit. Ai tha se është nder të kesh një karrige në Kryesi dhe Grup Parlamentar, por para së gjithash është një përgjegjësi. Sipas Kadillit, Kryesia dhe Grupi Parlamentar kanë në dorë të marrin një vendim historik sa i përket fatit dhe të ardhmes së PD. “Është momenti të flasë partia çfarë qëndrimi ka për ish-kryetarin “non grata”. Kjo është detyrë e Kryesisë dhe e Grupit Parlamentar. Për secilin koleg, është nder të ulesh në karrigen e kryesisë dhe të deputetit, por së pari është përgjegjësi. Keni në dorë të merrni një vendim historik. Luhet fati dhe e ardhmja e Partisë Demokratike që nuk duhet të jetë “non grata”, u shpreh Kadilli.





































